Restaurohet kisha e Shën Nikollës në Berat, monument Kulture i kategorisë së parë

221

Pas 30 vitesh, kisha e Shën Nikollës në lagjen “Kala” të Beratit po restaurohet, për t’u shndërruar sërish në një objekt të vizitueshëm dhe tërheqës për vizitorët. Ndërhyrja do të kryhet në tavane, mure dhe ambientet e brendshme, falë një investimi prej 15 mln lekë.

Kisha e Shën Nikollës në lagjen simbolike “Kala”, në qytetin e Beratit, po i nënshtrohet restaurimit për herë të parë pas 30 vitesh.

Me këtë ndërhyrje, objekti i kultit, Monument Kulture i kategorisë së parë, do të shpëtojë nga rrënimi i plotë, për t’u kthyer në një tjetër atraksion për vizitorët në Berat.

Punimet për restaurimin e kishës së njohur ndryshe si kisha e Shën Kollit, e ndërtuar që në shekullin e XVI do të zgjasin rreth 3 muaj, ndërsa investimi kap shifrën e 15 milionë lekëve.

Ndërhyrja në këtë objekt të lënë në harresë, është pjesë e një pakete restaurimi që përfshin edhe kisha të tjera në kalanë e Beratit.