Restaurohet shtëpia e Marigosë që qëndisi flamurin e pavarësisë

197

Pas më shumë se 100 vjetësh shtëpia e patriotes Marigo Posio, e cila qëndisi shqiponjën në flamurin që u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali dhe bashkë me të edhe krejt qendra historike e Vlorës po vijon restaurimin për t’u shndërruar në një destinacion të vizitueshëm në çdo stinë të vitit.

Ky projekti i rëndësishëm synon t’i kthejë këtij qyteti shkëlqimin e dikurshëm. Ai po bëhet i mundur falë qeverisë shqiptare dhe bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptar për Zhvillim, sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës dhe Gjirokastrës.

Projekti për restaurimin e qendrës historike të qytetit bregdetar është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.

Qershori i këtij viti është koha, kur veç banorëve të Vlorës, këto ndryshime t’i shijojnë edhe turistët.

Projekti përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave përveç Shtëpisë së Marigosë edhe Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Shtëpia ku ka jetuar Marigoja mban të gdhendur vitin 1892, por ajo u vendos pak më vonë aty. Në lagjen ku jetoi dhe jo vetëm, Marigo Posio njihej ndryshe edhe si Shqiponja. Dhe jo rastësisht, duart e saj kishin qëndisur me qindra të tilla.