Rritja e numrit të turistëve orienton sipërmarrjet drejt investimeve në këtë sektor

8

Bukuritë e Shqipërisë, që nga majat e Alpeve të thepisura, brigjet magjepsëse të rivierës shqiptare dhe të Adriatikut, sitet e trashëgimisë UNESCO, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe ata natyrorë, parqet kombëtare, plazhet e kristalta, kulinaria dhe prodhimet tradicionale tërhoqën vëmendjen e miliona turistëve edhe këtë vit.

Pikërisht rritja e interesit të të huajve për vendin tonë po orienton sipërmarrjet drejt investimeve në këtë sektor.

INSTAT publikoi sot raportin “Turizmi në Shifra 2022”, ku rezulton se numri i strukturave akomoduese shënoi rritje me 8.4 %, në raport me vitin 2021. Ndërkohë që numri i shtretërve u rrit me më shumë se 11 %.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, në vitin 2022, operuan 1 580 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra) duke vënë në dispozicion rreth 48 mijë dhoma dhe rreth 109 mijë shtretër.
Gjatë vitit 2022, industria e turizmit ka ofruar mesatarisht: rreth 39 shtretër në dispozicion të 1.000 banorëve. 65% e shtretërve janë shfrytëzuar (netë qëndrime) nga jo-rezidentët.

Kapacitetet e vëna në dispozicion gjatë muajit gusht, që përkon dhe me pikun e turistëve janë rreth 35 mijë dhoma dhe 85 mijë shtretër.

Të dhënat për lejet e dhëna për ndërtimin e strukturave akomoduese, tregojnë se gjatë vitit 2022, janë miratuar gjithsej 51 leje ndërtimi për ndërtim hotelesh, nga 33 leje të miratuara në vitin 2021.

Sipas INSTAT-it, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2022, është rreth 199 mijë m2 , duke shënuar një rritje prej 37,8% krahasuar me vitin 2021. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit e miratuar për ndërtim hotelesh, në vitin 2022, është rreth 7,3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 40,2%, krahasuar me vitin 2021.

Vlera e shtuar e industrive të turizmit është rritur me 40.3%, krahasuar me vitin 2021.
Pesha që zënë industritë e lidhura drejtpërdrejt me turizmin në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2022 është 3.5%.

Gjatë vitit 2022, qarku Korçë shënoi numrin më të lartë në lejet e miratuara për “hotele dhe të ngjashme” me rreth 29,4% të lejeve gjithsej në nivel vendi.

Shqipëria u vizitua përgjatë vitit 2022 nga rreth 7.5 milionë shtetas të huaj, ndërkohë që këtë vit numri i vizitorëve të huaj do të kapë shifrën e 10 milionëve, duke shënuar kështu një rekord historik.

Gjatë vitit 2022, hyrjet e shtetasve nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 91.8%. Numri i tyre është rritur me 33.8%, krahasuar me një vit më parë.

/ata.gov.al