Rritje e fluksit të turistëve në Butrint

24

Parku Kombëtar i Butrintit vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara turistike edhe gjatë këtij viti në Shqipëri.

Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare ngjall kuriozitetin e pushuesve nga e mbarë bota.

Drejtori i Parkut kombëtar të Butrintit, Andi Bello tha për ATSH-në se ” gjatë periudhës janar-tetor Butrinti u vizitua nga 111 749 turistë vendas e të huaj. Ndërsa të ardhurat nga biletat për janar-tetor janë rritur me 17.7% se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.

“Fluksi i vizitorëve çdo vit vjen në rritje, ku në krahasim me vitin e kaluar rritja e numrit të turistëve është 38% ose 30 822 vizitorë”, tha Bello.

Bello u shpreh se vetëm gjatë muajit tetor “Butrinti u vizitua nga 13 661 vizitorë në total, nga të cilët 1627 vizitorë vendas, 11067 vizitorë të huaj dhe 967 vizitorë pa biletë. Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar Butrint gjatë muajit tetor 2023 ka gjeneruar në total 8661400 lekë, nga të cilët 1005900 lekë nga vizitorët vendas, 7655500 lekë nga vizitorë të huaj”.

“Ndërsa numri më i lartë është shënuar në muajin gusht me 24 294 vizitorë vendas e të huaj”, shtoi Bello.

Bello u shpreh se “gjatë periudhës së vjeshtës turistët janë më shumë nga vendet nordike si Suedi, Danimarkë, por edhe nga Finlanda e Norvegjia. Ndërsa nuk mungojnë turistët italianë, gjermanë, francezë dhe amerikanë”.

Sipas tij, shumica e turistëve e vizitojnë Butrintin për herë të parë, por premtojnë se do e rekomandojnë te miqtë si një destinacion që duhet të vizitohet patjetër në Shqipëri”.

Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit.

Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti).

/ata.gov.al