Shkodër: Nis rikonstruksioni i Sheshit të Shirokës

373

Ka nisur puna për rikonstruksionin e Sheshit të Shirokës, në Bashkinë Shkodër.

Investimi është pjesë e projektit “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të Liqenit të Shkodrës”, financuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Rikonstruksioni i Sheshit të Shirokës përfshin një sipërfaqe prej rreth 20,000 m². Ndërhyrja parashikon restaurimin e 2,000 m² fasada, ndërtimin e 1,500 m² çati të reja, ndërtimin e 1,700 m² parking publik, shtrimin e sheshit me pllaka guri mozaik, ndriçimin publik, ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimet, punime gjelbërimi dhe mobilimi urban.

I gjithë koncepti ruan identitetin historik, urban dhe natyror të zonës. Parashikohen modele tradicionale për mozaikët e sheshit qendror që do të shtrohet dhe përdorimi i materialeve dhe ngjyrave të unifikuara për restaurimin e fasadave.

Punimet do të zgjasin 10 muaj dhe parashikohet të përfundojnë verën e ardhshme.