Shqipëria: 80 milion euro më shumë nga TAP

236

Republika e Shqipërisë dhe Konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP AG) nënshkruan sot në Tiranë amendimin e Marrëveshjes me Qeverinë e Vendin Pritës (MQVP) dhe marrëveshjet shoqëruese për përfitimet vendase dhe angazhimin për zhvillimin e tregut të gazit së bashku me Memorandumin e Mirëkuptimit që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes për sistemin e gazsjellësit TAP në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këto dokumente do të ndjekin procedurat përkatëse ligjore për miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave dhe më pas Parlamenti i Shqipërisë.

Marrëveshjet për palën shqiptare u firmosën nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri ndërsa për konsorciumin TAP prej Drejtorit Menaxherial, z. Ian Bradshaw. Ato janë rezultat i shtatë muajsh negocime mes palëve.

Shqipëria është vendi i parë që firmosi me TAP Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës (MQVP) në Prill 2013. Bazuar mbi përcaktimet ligjore të kësaj marrëveshjeje, pala shqiptare kishte të drejtën të kërkonte përshtatjen e termave të saj për të siguruar trajtim të barabartë dhe kushte jo diskriminuese.