Shqiptarja Orieta Kristo, një grua në biznes që ka realizuar ëndrrën amerikane

77

Orieta Kristo emigroi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara në moshën 14 vjeçare, pa ditur pothuajse fare anglisht. Sot ajo është drejtuese ekzekutive e një kompanie të suksesshme sigurimesh që e themeloi para 5 vjetësh, “Horizon Insurance”. Zonja Kristo është përzgjedhur nga Revista e Biznesit e Usterit, në Shtetin e Masaçusetsit, si një nga 40 profesionistët e suksesshëm nën moshën 40 vjeç për vitin 2019.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Kristo foli për karrierën e saj, balancimin me jetën personale dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan në qytetin e saj dhe në shtetin e Masaçusetsit.

Për Orieta Kriston, vendimi për të hapur një biznes të vetin nuk ishte i lehtë. Ajo kishte një karrierë të stabilizuar, në një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve “Liberty Mutual”. Por…

Zonja Kristo e themeloi kompaninë “Horizon Insurance” në vitin 2014. Sot ajo u shërben 3,500 klientëve në shtetin e Masaçusetsit, duke plotësuar nevojat e tyre për sigurime automjetesh, banesash, të jetës dhe të bizneseve të tyre. Kompania e saj ka siguruar afro 5 milionë dollarë në shitje.

60 për qind e klientelës së kompanisë vjen nga komuniteti shqiptar në zonën e Usterit dhe Bostonit në Masaçusets.

Zonja Kristo ndihmon komunitetin shqiptaro-amerikan, me punë vullnetare, ose duke dhënë fonde për aktivitete të ndryshme jo vetëm në Uster, siç thotë Mark Kosmo, kryetar i Fondacionit “Global Albanians” në Boston.

Përfshirja në listën e 40 profesionistëve të suksesshëm nën moshën 40 vjeç nga Revista e Biznesit e Usterit, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të pazakontë.