Një studim me ekspertë të Bankës Botërore tregoi së fundmi se Shqipëria mund të bëhet konkurruese në eksportet e prodhimeve bujqësore me ullirin, bostanin dhe arrorët.
Shqipëria është e varur gjerësisht nga sektori bujqësor, i cili përbën 20.3% të PBB-së, kontribuon me rreth 38% të punësimit dhe 8.5% të totalit të eksporteve. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në veçanti sektori i frutave dhe perimeve, zë 20% të bujqësisë shqiptare. Nga ana tjetër, kontribuon me 36% të eksporteve të saj dhe kjo peshë është rritur shpejt në pesë vitet e fundit.
Ndërsa tregu i brendshëm, për shumë nga këto produkte, është i ngopur, frutat dhe perimet shqiptare kanë fituar terren në vende të Ballkanit Perëndimor dhe janë të pozicionuar mirë në disa vende të BE-së. Megjithatë, prodhuesit shqiptarë përballen me shumë kufizime për të eksportuar prodhimet bujqësore në vendet e Bashkimit Europian.
Ekspertë të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare zhvilluan një studim mbi leverdishmërinë e prodhimeve bujqësore. Duke përdorur metodologjinë mbi analizën e zinxhirit të vlerave, IFC Albania, pjesë e grupit të Bankës Botërore, identifikoi së fundmi një listë prej pesëmbëdhjetë produktesh shqiptare, kryesisht fruta dhe perime, të cilat janë konkurruese në tregjet rajonale.
Përdorimi i një matrice, që renditi eksportet sipas shkallës së rritjes dhe origjinës së vendit, identifikoi ullinjtë si eksportet më premtuese. Kërkesa për ullinj po rritet me shpejtësi edhe për shkak të përdorimit të tij gjithnjë e më të gjerë në industrinë e kozmetikës. Studimi identifikoi se pas ullirit, Shqipëria duket se ka leverdi të prodhojë dhe të eksportojë arra, bostan, lakra dhe lulelakër. Analiza tregoi se, tre mallrat më konkurruese janë ullinjtë, arrat dhe bostani.
Ullinjtë
Tregu global i vajit të ullirit ka aktualisht një vlerë prej 7 miliardë dollarësh, teksa po rritet mesatarisht me 8% në vit. Shqipëria është lider në prodhimin e ullirit në Ballkan, por aktualisht zë vetëm 0.6% të totalit të prodhimit në BE dhe nuk është në gjendje të përmbushë as nevojat e tregut vendas.
Në një përpjekje për t’u bërë globalisht konkurrues në vajin e ullirit, qeveria shqiptare subvencionoi me rreth 9 milionë dollarë mbjelljen e ullinjve gjatë periudhës 2009 – 2015. Me gjithë rritjen e bazës së prodhimit nga numri më i madh i rrënjëve, prodhimi nuk pritet të arrijë potencialin për shkak të praktikës joefikase të mbajtjes së pemishteve ullirit.
Sipas një analize të vitit 2012 për sektorin e ullirit nga Komisioni Europian, Shqipëria nuk mund të prodhojë në vëllime të mjaftueshme, në mënyrë që të jetë një lojtar i rëndësishëm në tregun e BE-së për shkak të fragmentimit ekstrem të pemishteve të ullirit. Madhësia mesatare e pemishteve është 0.2-0.4 hektarë, krahasuar në një madhësi mesatare prej 1.6 hektarësh në Greqi. Ky copëzim e bën prodhimin joefikas dhe të paaftë për të përfituar nga ekonomia e shkallës. Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria do të vazhdojë prodhojë në sasi të vogla vaj ulliri dhe me çmime më të larta.
Studimi sheh të përshtatshëm prodhimin e vajit organik të ullirit, i cili favorizon cilësinë mbi volumin. Rreth dy të tretat e pemishteve të ullirit të Shqipërisë besohet të jenë organike, por vetëm 1% e pemishteve, ose 515 hektarë, janë certifikuar si të tillë. Për më tepër, prodhuesit shqiptarë ballafaqohen me kufizimet rregullatore për të eksportuar në BE. Agronomët shqiptarë kanë mungesë njohurish për trajtimin e prodhimeve organike me standardet e BE-së.
Bostani
Bostani është një nga pikat më të forta të eksporteve të frutave dhe perimeve në Shqipëri, por rritja e mëtejshme e eksportit është e kufizuar pothuajse tërësisht në Kosovë, me 62% të totalit. Prodhimi i bostanit bëhet për një kohë të shkurtër dhe për rrjedhojë kërkon punë intensive dhe kushte të mira moti. Për shkak të kushteve të favorshme klimatike, Shqipëria mund të jetë një furnizues potencial i bostanit në tregun e BE-së. Për më tepër, Shqipëria është gjeografikisht mjaft konkurruese për të prodhuar bostan hershëm, i cili shitet me një çmim më të lartë se në sezon.
Ndërsa kostot e transportit për bostanin nga Shqipëria janë më të ulëta se sa konkurrentët e drejtpërdrejtë të saj, logjistika është joefikase dhe praktika e prodhimit siguron cilësi dhe sasi jo aq të mirë sa në Greqi.
Boshllëqet në certifikimin e cilësisë, përdorimi më efikas i metodave të prodhimit dhe rritja e varieteteve janë jetike për ta bërë bostanin konkurrues. Për fat të mirë, bostani është një nga kulturat më të lehta për t’u paketuar dhe për t’u certifikuar.
Arrat
Kërkesa në tregun global për arra do të zgjerohet me një normë vjetore prej më shumë se 5% në 10 vitet e ardhshme. Analiza identifikon se arrat, lajthitë dhe gështenjat, si vlera të larta potenciale për eksportet. Gjithashtu analiza thotë se duhen shumë përpjekje në të gjithë zinxhirin e vlerës që arrorët të bëhen konkurrues. Prodhimi i arrave zotërohet nga fermerë të vegjël dhe me mungesë të theksuar njohurish të burimeve logjistike për kultivimin e tyre.
Me përjashtim të gështenjave, prodhimi i arrorëve është i pamjaftueshëm për të mbuluar edhe nevojat vendase. Megjithatë, prodhimi i arrave ka qenë në rritje, kryesisht për shkak të subvencionimit të qeverisë gjatë vitit 2009 që tani po fillon të japë frytet e tij. Sfida më e madhe e Shqipërisë në zinxhirët e vlerës së arrorëve është të konkurrojnë në tregun global. Sfida kryesore edhe tek arrorët është fragmentimi i tokës, gjë që pengon zhvillimin e teknologjisë dhe përmirësimin e ekonomisë së shkallës.