“Syri i Kaltër”/ Destinacioni i mbi 185 mijë vizitorëve në 9 muaj

8

I cilësuar si perla e turizmit veror, Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë ka tërhequr një numër të lartë turistësh gjatë këtij viti.

Infrastruktura e re për këmbësorë e çiklistë e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt këtij parku natyror,  duke e bërë të aksesueshme më lehtë për turistët.

Pas përfundimit të infrastrukturës së re rrugore dhe krijimit të mjediseve më të përshtatshme për frekuentuesit e parkut natyror të Syrit të Kaltër, numri i vizitorëve për vitin 2023, ka ardhur çdo muaj duke u rritur.

Që prej janarit deri në shtator “Syri i kaltër” u vizitua nga 185 305 vizitorë, nga të cilët  60 821 vendas dhe 124 484 të huaj.

Edhe gjatë muajit tetor ky park natyror vijon të tërheqë tursitë vendas e të huaj.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka në kuadrin e masterplanit të ri shtigjet brenda hapësirës së parkut natyror “Syri i Kaltër”, sinjalistikën e munguar prej shumë vitesh dhe disa pika vëzhgimi për turistët e interesit të veçantë.

Gjithashtu Ministria e Turizmit dhe AKZM po punojnë për rritjen e shërbimeve te kjo pikë turistike në bashkëpunim edhe me bizneset e zonës.

“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Ai është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës.

Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Ai është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

“Syri i Kaltër” tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga mbarë bota.

/ata.gov.al