Veprimi inkurajues i punonjësve të policisë rrugore Tiranë

81

Policia e Shtetit njoftoi sot se si reagim solidar ndaj një apeli për të dhuruar gjak, të shpërndarë në rrjetet sociale, nga familjarët të riut Franko Mancellari, 22 vjeç, i cili u aksidentua me motoçikletë, më datë 29 korrik në Gjirokastër, një grup i punonjësve të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë janë organizuar me iniciativën e tyre, dhe kanë shkuar gjatë mesditës së sotme, në Spitalin e Traumës, Tiranë, për të dhuruar gjak.

Iniciativa sensibilizuese e punonjësve të Komisariatit të Policisë Rrugore synon të përcjellë mesazhin se mbërritja i sigurtë në destinacion duhet të jetë prioriteti i çdo udhëtimi që bëni.

“Punonjësit e Policisë Rrugore gjenden pranë qytetarëve, jo vetëm për të ndëshkuar, në rastet e moszbatimit të rregullave të qarkullimit, por edhe për të ofruar gatishmëri dhe solidaritet në ato raste kur ngjarjet rrugore kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale.

Përmes këtij akti human, Policia Rrugore ftoi sërish të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.