Universiteti “Fan Noli” i Korçës dhe Universiteti “Aristoteli” i Selanikut organizuan për herë të parë një akademi ndëruniversitare pesëditore me pjesëmarrjen e studentëve dhe pedagogëve, me synimin për ta shndërruar në traditë të përvitshme.
Në këtë aktivitet prof. Shaban Sinani paraqiti ligjëratën “Arkivat, bibliotekat dhe burimet për Voskopojën në shek. XVII-XVIII”
Historia e Voskopojës është shkruar në dhjetëra studime monografike duke filluar prej shekullit XIX, në të gjitha gjuhët e Ballkanit, në osmanisht, hebraisht, si dhe në gjuhët e mëdha të Perëndimit: gjermanisht, italisht e frëngjisht.
Bibliografitë për Voskopojën përmbajnë burime e studime jo vetëm për qytetin, për “Akademinë e Re” (“Nea Akademia”) dhe shtypshkronjën që mbante emrin e Shën Lukës e herë-herë edhe me emrin e Shën Naumit; por edhe për familjet e mëdha voskopojare, arhondët, gjuhët dhe shkrimet, tetragloson-in e pentagloson-in, por edhe për protagonistët e zhvillimit kulturor, filozofë si Teodor Kavalioti e Grigor Voskopojari, për gramatikanë dhe hartues fjalorësh, mendimtarë, klerikë etj.
Voskopoja lulëzoi për aq kohë sa ishte e jashtëvarur: kryeqendra e saj ishte Ohri, ku gjendej selia e Patrikanës, që u shua më 1767; ishte e përjashtuar nga sistemi tatimor i perandorisë otomane për shkak të statusit të mbrojtur të saj nga nëna-perandoreshë si “has” i saj, status që e humbi pikërisht pak vite më vonë kur u shit prej saj; që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me “Harvin e Madh të Jerusalemit” dhe “Vëllazërinë e Varrit të Krishtit”. Kur këto jashtëvartësi protektuese mbaruan, Voskopoja nisi rënien.
Nga dokumentet osmane që ruhen në Shqipëri provohet se voskopojarët e gëzonin mbrojtjen nga tatimet edhe kur dilnin jashtë territorit të tyre.
Epoka e lulëzimit të Voskopojës është cilësuar si shekulli i sinkronisë së zhvillimit në Ballkan e në Europë, sunduar prej dukurisë së iluminizmit, që u zhvillua në të njëjtën kohë në dy anët e kontinentit, dukuri që nuk kishte ndodhur as me romantizmin, as me realizmin e zhvillime të mëvonshme. Ky zhvillimi sinkronik mendor e kulturor në Ballkan me dukuritë sunduese në Europë njihet edhe si shekulli i iluminizmit gjuhësor, që i parapriu romantizmit kombëtar një shekull më vonë.
/ata.gov.al