Zerohen tarifat për lëndën e parë të fasonit

239

fasoni

Qeveria ka vendosur që në Paketën Fiskale të 2017-s të reduktojë tarifat doganore nga 2%, 6%, 10% dhe 15% në masën 0% për lëndën e parë të përdorur në industrinë fasoniste.

Gjithashtu reduktimi i tarifës në masën 0% nga 2% që është aktualisht të produktit koks dhe gjysmëkoks nga qymyrguri.

Sipas qeverisë, kjo masë u mor pasi prodhimet e destinuara për tregun europian kanë shfaqur vështirësi serioze lidhur me kostot e prodhimit dhe kryesisht me lëndët e para. Që këto mallra të përfitojnë origjinë preferenciale, lëndët e para duhet të jenë me origjinë EU, EFTA, CEFTA, të cilat kanë kosto më të lartë dhe rrjedhimisht çmime përfundimtare më pak konkurruese për mallrat e prodhuara nga kjo industri. Në rastet e importit të lëndëve të para nga vendet jo EU, EFTA, CEFTA në Kodin Doganor, me qëllim përfitimin e origjinës preferenciale, kërkohet pagesa e tarifës doganore, megjithëse mallrat pas përpunimit janë të destinuara për eksport. Reduktimi i këtyre tarifave do të krijonte një klimë më të favorshme për këtë industri, duke rritur eksportin dhe konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

Efektet në buxhet, duke marrë parasysh të dhënat vjetore për lëndët e para të importuara në vitin 2015 do të jetë negativ në masën 41 milionë lekë.

Gjithashtu në këtë Paketë Fiskale do të aplikohet reduktimi i tarifave për importin e koks dhe gjysmëkoks nga qymyrguri. Aktualisht, për lëndën koks dhe gjysmëkoks aplikohet tarifa 2%. Me anë të këtij projektligji synohet reduktimi i kësaj tarife në masën 0%. Argumentimi i propozimit lidhet me faktin se qymyri për koksifikim është një nga lëndët djegëse, që përdoret për procese teknologjike në furra pasurimi mineralesh etj.

Ulja e tarifës për këtë produkt do të favorizonte industrinë prodhuese e përpunuese në vend, duke ulur ndjeshëm kostot dhe duke nxitur prodhimin në vend dhe gjithashtu eksportin në tregun ndërkombëtar.

Duhet theksuar që kjo tarifë është 0% nëse importohet nga vendet EU, CEFTA, EFTA. Efektet në buxhet, duke marrë parasysh të dhënat vjetore për këtë produkt të importuar në vitin 2015 janë 25 milionë lekë.

Burimi: Revista Monitor