125 563 biznese aktive në fund të majit

4

Numri i bizneseve aktive në vend, në fund të muajit maj llogaritet 125 563, me një rritje prej 2 188 biznesesh krahasuar me majin e vitit 2022.

Autoritetet në vend thonë se treguesit e tërthortë tregojnë se ambienti ekonomik i vendit është stimulues për biznesin.

Gjatë vitit 2022 janë hapur rreth 11.376 biznese dhe janë pezulluar 2629 të tillë. Shifrat janë më pozitive se sa ato të vitit 2021, ku ishin hapur 10.128 biznese dhe ishin mbyllur 2777.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se qarkullimi i sektorëve për periudhën janar-maj ka vijuar të jetë në rritje, e shpërndarë në pjesën më të madhe të sektorëve kryesorë.

Për këtë periudhë qarkullimi është rritur me 4.3 %, ku kontributin kryesor dhe rritjen më të madhe e ka pasur sektori i shërbimeve me 15% dhe sektori i ndërtimit me një rritje prej 14 %.

Ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për periudhën janar-maj janë rritur me 41 % ose 8 miliardë lekë, në krahasim me 5-mujorin e vitit të kaluar, ku pjesë janë edhe të ardhurat nga taksa e jashtëzakonshme për kompanitë më të mëdha të prodhimit të energjisë.

/ata.gov.al