149 vjet më parë, më 23 tetor 1871, lindi në Fishtë të Zadrimës, një ndër penat më të fuqishme të letrave shqipe, poeti Gjergj Fishta. I quajtur Zef, por i vetëpagëzuar më vonë Gjergj, si heroi kombëtar, Fishta dalloi që në moshën 6-vjeçare për zgjuarsinë e tij, çka ra në sy të famullitarit të fshatit, i cili ndërhyri që të dërgohet në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, ndoqi seminarin e Troshanit, ku dhe shfaqi prirjet e para poetike. Më 1886 u dërgua për studime filozofike e teologjike në Bosnjë, ku u diplomua shkëlqyeshëm më 1893.
I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, Fishta konsiderohet si një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e krijuara nga shekulli XX dhe me një krijimtari që pasqyron elemente të romantizmit, realizmit dhe klasicizmit. Deri më 1899 Fishta shkroi me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të këtij viti ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, me alfabetin e së cilës botoi krijimet në vijim. Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, që gjer në atë moment drejtohej nga klerikë të huaj, ku dhe futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi të shkollës. Më 1904, arriti të botojë këngët e para të “Lahutës së Malësisë”, kryeveprës së poezisë epike shqiptare. Më 1907 botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset” dhe më 1913 “Mrizi i Zanave”.
Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe, çka e përcolli edhe në poezitë e shkrimet publicistike botuar në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917). Më 1916 themeloi, bashkë me Luigj Gurakuqin,”Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. I quajtur shpesh si Homeri shqiptar, Fishta më shumë se cilido shkrimtar tjetër do t’i jepte shprehje artistike shpirtit kërkues të Shtetit të ri sovran shqiptar.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkoi me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 ishte sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill të vitit 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar u zgjodh nënkryetar i Parlamentit. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Më 1925 ikën në Itali, ku krijoi, botoi e ribotoi pareshtur. Të kësaj kohe janë pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nisi periudha e fundit e krijimtarisë së Fishtës që përfshin botimin e plotë të “Lahutës së Malësisë” (1937).
Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në libra u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, ai përdori 24 pseudonime të ndryshme.
Ndonëse Gjergj Fishta është autor i gjithsej tridhjeteshtatë botimeve letrare, emri i tij është i lidhur kryesisht me kryeveprën e tij epike, “Lahuta e Malcís” (Shkodër 1937), por jo më pak edhe me “Anzat e Parnasit”, vepër satirike, ende e pastudiuar si duhet, që e larton në majat e satirës botërore. “Lahuta e Malcis” është një poemë epike historike me 15 613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi , në veçanti ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858- 1913. E shkruar ndërmjet viteve 1902-1909, vepra u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë, u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesë-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
“Lahuta e Malcís” dhe veprat e tjera të At Gjergj Fishtës u ndaluan pas Luftës së Dytë Botërore prej vendosjes së diktaturës. Poema madhore epike, e ribotuar në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990, rishtas në Romë më 1991, është përkthyer në gjermanisht (Maksimilian Lamberc), italisht (Imzot Jul Bonati, Ernest Koliqi), në anglisht (Robert Elsie) dhe në frëngjisht (Abidin Krasniqi.
Si poet kombëtar, At Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro-hungarez më 1911, është dekoruar nga Papa Piu XI me çmimin “Al Merito” më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze “Feniks” nga qeveria greke, është nderuar me titullin “Lector jubilatus honoris causae” nga Urdhri Françeskan dhe është bërë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939.