78-vjetori i poetit Xhevahir Spahiu, mjeshtër i penës

2

Poeti Xhevahir Spahiu feston sot 78-vjetorin e lindjes. Ai lindi më 1 mars të vitit 1945, në Malind.

Studioi në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Që nga viti 1968 punoi si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë. Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Presidenti Bajram Begaj e uroi sot poetin Xhevahir Spahiu si dhe i shprehu atij mirënjohjen për pasurimin që i ka bërë përgjatë dekadave gjuhës dhe letërsisë sonë.

“Poetët e përmasave të Spahiut janë një bekim për një komb, e të gjithë ne jemi me fat që një mjeshtër i penës si Spahiu, vazhdon të na frymëzojë dhe emocionojë me vargjet dhe poezitë e tij”, shkroi Presidenti i Republikës, në një postim në rrjetet sociale.

Gjithashtu dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka uruar poetin me rastin e 78-vjetorit.

“I urojmë jetë të gjatë plot frymëzime të reja”, shkruan QKLL, që me këtë rast ka publikuar edhe një nga poezitë e Xhevahir Spahiut.

3 vjet më parë, me rastin e 75-vjetorit të tij, Spahiu u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Poet, që me krijimtarinë e tij, u bë pararendës i një brezi krijuesish që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha, qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet”.

/ata.gov.al