9 jahte turistike ankorohen në portin e Durrësit

13

Të tre terminalet e përpunimit të mallrave në portin e Durrësit janë të zënë sot me anije që po ngarkohen dhe shkarkohen, ndërsa në kalatën 4 janë ankoruar edhe nëntë jahte turistike.

Përpunimi i nëntë anijeve me mallra po realizohet nga skuadrat stivadore dhe elektrovinçat në kalata.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se shtatë anije po shkarkojnë grurë, hekur, skrap, çimento, melaminë dhe kontejnerë, ndërsa dy të tjera po ngarkohen me çimento vendi dhe makineri.

Nga i njëjti burim mësohet, se sasia e përgjithshme e mallrave që po përpunohen sot në portin më të madh të vendit arrin në 26 mijë ton gjithsej.

Ndërkohë në Terminalin përkatës ka përfunduar përpunimi i tre trageteve me udhëtarë dhe mallra që mbërritën në port rreth orës 8.00.