Ana është 18 vjeçe dhe studion në vitin e katërt në një shkollë të mesme profesionale në Korçë. Pas përfundimit të arsimit 9-vjeçar, ishin prindërit që zgjodhën që ajo të ndjekë degën Hoteleri-Turizëm, por Ana po e “dizenjon” vetë të ardhmen. Asaj i pëlqen turizmi dhe mundësitë që ofron ky sektor në Shqipëri, por së fundi për të është çelur një dritare e re.
Kreative dhe e pasionuar pas teknologjisë, ajo është angazhuar edhe në fushën e dizajnit grafik. Mundësia e ofruar për ndjekjen e një kursi pas shkolle, po e ndihmon të renë që të zgjerojë njohuritë për t’u përshtatur me nevojat dhe kërkesat e tregut të punës.
Duke mos lënë pas dore mësimet, në kohën e lirë Ana punon si ‘freelancer’ apo profesioniste e pavarur. Ajo krijon dizajne produktesh të ndryshme për klientë dhe biznese lokale në Korçë. Duke pasur parasysh efektin tërheqës dhe atë të dallueshmërisë, ajo ndihmon klientët e saj që përmes logos së produktit të krijojnë profilin e tyre në publik.
Kjo i siguron asaj të ardhura, mundësi për t’u rritur profesionalisht, por edhe kënaqësinë e të qenit një qytetare aktive që kontribuon në cilësinë e jetës shoqërore dhe ekonomike të qytetit të saj. 18-vjeçarja prej dy vitesh është bërë pjesë e projekteve të World Vision dhe ka ndjekur çdo takim të klubit SKYE në shkollën e saj.
“Kam patur mundësi të mësoj gjëra të reja, të vizitoj vende të ndryshme dhe të shkëmbej ide me të rinj të tjerë nga Shqipëria. Të gjitha këto më kanë dhënë një vizion tjetër për jetën dhe mbi të gjitha kanë zbuluar tek unë talente apo aftësi që as nuk e dija që i kisha. I tillë është dhe ky momenti tani.
Unë kam qenë pjesë e trajnimeve për median sociale për 2-3 muaj dhe tani jam në momentin e praktikës. Nuk e dija që mund të isha kaq kreative apo që kisha aftësi të krijoja dizajne produktesh për biznese lokale dhe të luaja me ngjyrat,”- thotë Ana, teksa na tregon rreth ndryshimit të madh në jetën e saj.
World Vision po punon me të rinjtë duke i ndihmuar të ndërtojnë aftësi, kompetenca dhe të fuqizohen për përfshirje aktive në jetën sociale dhe ekonomike.
Ana dhe 5 bashkëmoshatarë të saj, anëtarë të klubit SKYE, janë mbështetetur të ndjekin një kurs disa mujor në Korça Innovation & Technology Hub në programin “Social Media Management”.
Kjo dritare e re frymëzuese për teknologji, inovacion, informacion e sipërmarrje, po i aftëson ata profesionalisht për t’u përfshirë me sukses në tregun e punës.
“Ne vijmë këtu çdo ditë pas shkolle. Kam mësuar shumë gjëra për website, si të mos kopjojmë web-et e tjera dhe të jemi autentikë në punën që bëjmë. Kam mësuar shumë për Instagramin dhe LinkedIn, si t’i hapim një klienti një profil dhe si të negociojmë për tarifat e shërbimit. Si fillim i ofrojmë klientit 5 dizajne të ndryshme në mënyrë që ai të mund të zgjedhë, pastaj në varësi të nevojave të tij vendosim dhe çmimin,” – rrëfen Ana, e cila thekson se formimi i ri profesional e bën të ndjehet më e sigurt për të ardhmen e saj.
18-vjeçarja thotë se aftësimi në botën digjitale krijon mundësi të shumta punësimi për të rinjtë, pavarësisht zonave nga vijnë dhe rrethanave familjare. Teknologjia mundëson që vetëm me një klik të arrihen kompani dhe vende të lira pune nga kudo në botë.
“Freelancers nxjerrin shumë fitime, ndaj të rinjtë duhet të kapin momentin. Dëshira dhe pasioni janë ato që të bëjne të ecësh përpara. Këta të rinj janë plot ide dhe shumë të rregullt. Më kanë surprizuar,” – apelon Aleksia, drejtoresha e programit, e cila mentoron praktikën e tyre në ambientet e Bibliotekës publike të qytetit të Korçës.