AZHBR: 54 investime në serra u mbështetën nga IPARD II në qarkun e Fierit

0

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) përmes programit IPARD II me fonde të Bashkimit Europian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare në të tri thirrjet për aplikim, ka mbështetur sektorin e kultivimit të fruta-perimeve në serra.

Sot falë investimeve nga programi IPARD II është rritur me 63,5 ha sipërfaqja e kultivimit të perimeve në serra, që garantojnë produkte cilësore dhe konkurruese gjatë gjithë vitit, nxitur nga nevojat e tregut vendas, por edhe kërkesat për eksport.

AZHBR publikoi në rrjete sociale, shembullin e kompanisë “Agro Sina” në fshatin Allkaj, Lushnjë, që me mbështetjen e programit IPARD II, ka ndërtuar një sipërmarrje model.

Marjol Sina aplikoi në thirrjen e parë të programit IPARD II dhe investoi në kultivimin e fidanëve në serra me teknologji të lartë, me një strukturë që mbështetet në sistemin novativ të klimës dhe ujitjes, për matjen e parametrave të kushteve te brendshme.

Kjo serrë ka një rëndësi strategjike në këtë zonë, e cila dallohet për aktivitet të lartë bujqësor, duke mundësuar edhe furnizimin me fidanë të fermerëve përreth.

AZHBR, vetëm në qarkun e Fierit ka mbështetur 54 sipërmarrje për kultivimin e perimeve në serra, me një vlerë granti prej 11.6 milionë euro, të cilat janë fonde të Bashkimit Europian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare.

/ata.gov.al