Mbi 42 mijë vizitorë në Kalanë e Argjirosë gjatë shtatorit

1

Shtatori ka shënuar një numër të madh vizitash turistike në Kalanë e Argjirosë.

Sipas statistikave numri i vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, ka ardhur gjithnjë në rritje. Për periudhën 1 shtator-30 shtator 2023, kalaja është vizituar nga 42737 vizitorë, ose 10805 më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022.

Kalaja e Gjirokastrës ndodhet në rrugën e Zejtarëve, mbi kodër me lartësi 335 m. Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Megjithatë, historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672: “Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi. Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”.

Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën, e mbrojtur nga UNESCO.

/ata.gov.al