“Best Scientific Abstract Prize 2022”, akademiku shqiptar fiton çmimin e dytë në Evropë

7

Bashkimi i Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës (UEAA) shpalli fituesit e çmimit “Best Scientific Abstract Prize 2022”, njëri prej të cilëve është akad. Nazim Gruda.

Në konkursin për përmbledhjet më të mira shkencore, akad. Gruda është fitues i vendit të dytë, ndërsa të nominuar ishin edhe akad. Ilia Mikerezi dhe prof. Anila Hoda.

Konkursi u hap në janar 2022. Akademitë anëtare të UEAA-s u ftuan nga komiteti drejtues që të dërgonin abstraktet e punimeve më të mira, jo më shumë se një abstrakt në muaj për çdo akademi. Këto përmbledhje u vlerësuan nga një juri ndërkombëtare.

Çmimin e parë e fitoi një grup autorësh nga Britania e Madhe me përmbledhjen me titull: “Farm of the Future – Decarbonising Farm Vehicles and Future Fuels”.

Çmimin e tretë e fitoi një grup autorësh nga Italia me përmbledhjen “Essential amino acids: master regulators of nutrition and environmental footprint?”

Në vend të dytë u rendit përmbledhja me titull: “Effect of biofertilizers on leaf yield, nitrate amount, mineral content and antioxidants of basil (Ocimum basilicum L.) in a floating culture”.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë përgëzon përzemërsisht autoren e parë dhe grupin e punës prof. dr. Yildiz Dasgan, nga Turqia, po kështu akademikun e saj Nazim Grudën për këtë arritje, duke i uruar suksese të mëtejshme.

Shqipëria mori pjesë ne këtë konkurs me tri përmbledhje. Përveç çmimit të dytë, u nominua edhe një punim nga prof. Anila Hoda dhe akademiku Ilia Mikerezi. Të gjitha këto aktivitete dëshmojnë rolin aktiv të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nazim Gruda është përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në UEAA dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj.