Bimët mjekësore “Made in Albania” kryesojnë eksportet, ja si të përfitoni financim

72

Bimët mjekësore janë një kategori tjetër në strukturën e bujqësisë shqiptare, që vijon të konsolidojë treguesin e eksporteve në rritje progresive.

Eksportet e bimëve mjekësore u rritën me mbi 17% gjatë 10-mujorit të vitit 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Sipas statistikave, eksportet e bimëve mjekësore, për këtë 10-mujor kapën vlerën 4.3 miliardë lekë, duke i renditur bimët mjekësore në grupin e tretë më të madh të 22 grupeve që përfaqësojnë eksportet “Made in Albania” të ushqimeve.

Bimët mjekësore shqiptare, vijojnë të mbeten produktet  bujqësore më të kërkuara nga tregjet e huaja. Me rreth 500 ha sipërfaqe të kultivuar me këto bimë, Shqipëria kryeson në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore.

Sektori i bimëve aromatiko-mjekësore, me një impakt të rëndësishëm në ekonominë e vendit, shënon mbi 90 mijë familje të punësuara, kryesisht në zonat rurale duke ndikuar ndjeshëm në uljen e papunësisë.

Shqipëria eksporton kryesisht bimë mjekësore të egra, të papërpunuara, të cilat eksportohen për t’u trajtuar dhe paketuar jashtë vendit.

Përfshirja në skemat e mbështetjes financiare, i ka dhënë impakt dhe nxitje zhvillimit të këtij sektori, ku sipërmarrjet dhe biznesi që operon në këtë fushë po synon eksportin e bimëve të përpunuara që siguron më shumë të ardhura dhe më shumë punësim.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Ruron bën të ditur se, Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi 2020, masën e katërt “Bimë medicinale dhe aromatike” ofroi financim për të 480 fermerët që aplikuan për të përfituar nga kjo masë.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2020 ofron subvencionin për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë/ha, por jo më shumë se 1 000 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh. Ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), jo më shumë se 4 000 000 lekë.

Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA-të) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje.

Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA-ve në botë. Eksporti i BMA-ve arrin gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando,
etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.

Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e
sektorit të BMA-ve. Më shumë se 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare,
nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.