Bonbone me Çokollatë – Të Ëmbla, të Mrekullueshme

31

Bonbonet janë të mrekullueshme në të gjitha mënyrat e përgatitjes së tyre. Janë ndër ëmbëlsirat më të preferuara të shqiptarëve, sidomos para viteve ’90.

AgroWeb.org sugjeron më poshtë dy receta fantastike të përgatitjes së bonboneve me çokollatë të kombinuara me arra.

Dy Receta të Bonboneve me Çokollatë

Bonbonat me Çokollatë

  • Përbërësit
  • 250 gr çokollatë
  • 200 gr pana/krem qumështi
  • Vanilje
  • Lajthi i grirë imët, copëza çokollate ose pluhur kakao

Përgatitja

Në një tenxhere shtojmë kremin e qumështit dhe e vendosim të ngrohet në zjarr.

Sapo të ngrohet, e heqim nga zjarri dhe shtojmë çokollatën bashkë me vaniljen.

I përzjejmë mirë pa ndalur derisa çokollata të shkrijë dhe e gjithë masa të bëhet e njëtrajtshme.

E vendosim në frigorifer të ftohet duke e lënë për 2 ose 3 orë.

Më pas e nxjerrim dhe me ndihmën e një luge ndajmë bonbonat në forma të rrumbullakëta si toptha duke përdorur pëllëmbët e duarve.

Në fund, sipas dëshirës mund t’u hidhni sipër lajthi ose arra të grira hollë, pluhur kakao ose çokollata të thërmuara.

I vendosim sërish në frigorifer para se t’i servirim.

Bonbonet me Arra dhe Çokollatë

Përbërësit

  • 500 gr sheqer
  • 150 gr arra
  • 100 ml ujë
  • 300 gr krem qumështi
  • 200 gr çokollatë
  • 50 gr gjalpë kakao

Përgatitja

Si fillim grijmë hollë arrat. Në një enë tjetër hedhim sheqerin, ujin dhe krmein e qumështit, i përzjejmë mirë dhe i lëmë në zjarr që të vlojnë derisa masa të trashet si brumë.

E heqim nga zjarri dhe e hedhim në enën ku kemi arrat e grirë hollë, e kthejmë gjithë masën në tavolinën e gatimit dhe e lëmë të ftohet.

Këtu nisim të shtypin masën duke e punuar si brumë, pastaj e hapim mbi tavolinë në formën e një pete të trashë 1-2 centimetra.

E presim në forma katrore dhe i përgatisim bonbonat në formën e topthave të vegjël.

Të gjitha topthat i lyejmë në fund me çokollatën e shkrirë. I radhisim të gjitha mbi një letër kuzhinë dhe i lëmë të ftohen dhe forcohen në frigorifer.

Përgatitja e çokollatës

Në një enë të vendosur mbi një mjedis të ngrohtë që të lejojë shkrirjen e çokollatës punojmë copat e çokollatës me gjalpin e kakaos derisa e gjithë masa të bëhet e njëtrajtshme dhe të jetë e lëngshme për të ngjyer bonbonat.

/agroweb.org