BSH: Forcimi i lekut nga rekordi i të ardhurave në turizëm

23

Leku po ruan pozita të forta në kursin e këmbimit valutor edhe në javët e para të muajit maj 2024.

Sipas kursit në tregun e lirë, euro u këmbye të shtunën me 100.2 lekë në blerje dhe 100.9 lekë në shitje, thuajse në të njëjtat nivele sa që ditë më parë, duke shënuar rënie me 9.73 lekë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, kur këmbehen 110.63 lekë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë këtij viti kursi është sërish në rënie dhe euro po zbret përsëri afër niveleve ku mbylli vitin 2023.

Edhe kursi i dollarit amerikan dhe paundit britanik po shënon një tendencë rënëse gjatë kësaj jave, duke ngelur sidoqoftë në nivele pak më të larta krahasuar me fundin e muajit dhjetor.

Forcimi i lekut gjatë vitit 2023 ishte kryesisht rezultat i prurjeve rekord nga turizmi dhe i përmirësimeve të ndjeshme në bilancin e pagesave të vendit.

BSH-ja vëren se, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023, vijoi prirja e mbiçmimit të lekut kundrejt euros, e cila u mbështet nga rritja e konsiderueshme e hyrjeve valutore nga eksporti i shërbimeve në bilancin e pagesave.

Në fund të periudhës, kursi i këmbimit të euros ishte 104.1 lekë, dhe kjo vlerë përfaqësonte një mbiçmim të lekut me gati 3% kundrejt gjashtë muajve më parë dhe me 9% kundrejt një viti më parë. Mbiçmimi i lekut u përshpejtua veçanërisht në muajin gusht (me gati 4%) si efekt dhe i sezonalitetit. Gjatë këtij muaji, monedha Euro regjistroi vlerën më të ulët historike të këmbimit të saj ndaj monedhës Lek, prej 103.2 lekësh për 1 euro.
Mbiçmimi i lekut ka qenë i ndjeshëm edhe ndaj dollarit amerikan. Në muajin dhjetor, 1 dollar amerikan këmbehej me mesatarisht 96.6 lekë duke pasqyruar një mbiçmim të lekut me 2% kundrejt gjashtë muajve më parë dhe me 11% në krahasim me një vit më parë.
Ndërkohë gjatë periudhës, Banka e Shqipërisë ka vijuar të zhvillojë ankande për blerjen e euros, sipas kalendarit të publikuar dhe me objektiv rritjen e rezervës valutore.
/ata.gov.al