Çmimet u ulën në prill, INSTAT: Inflacioni, 2.1 %

8

Rritja e çmimeve vijoi ngadalësimin përgjatë 4 muajve të parë të vitit.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi se për muajin prill inflacioni zbriti në 2.1%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 4.6 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin prill 2024, krahasuar me marsin e 2024 rënie me 0.2 %

Ky është niveli më i ulët, që nga tetori 2021, kur nisi rritja e çmimeve si rrjedhojë e problemeve në furnizim që krijoi pandemia dhe më pas nga çrregullimet e tregjeve si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, ku vlera maksimale arrit në mbi 8% gjatë vitit 2022.

Ulja e inflacionit ka tejkaluar edhe objektivat e Bankës së Shqipërisë e cila synon mbajtjen e inflacionit në nivelin 3%.

Krahasuar me muajin prill 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë” me 4.4 % pasuar nga grupet “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3.5 %, “veshje dhe këpucë” me 3.4 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.3 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 3.2 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.3 %, “shërbimi arsimor” me 2.2 %, “shëndeti” me 1.7 %, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.5 % dhe “transporti” me 1 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 5.4 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5.2 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4.1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 3.6 %, “mish” me 2.4 %, etj.

/ata.gov.al