“U trondita kur mësova se djali im i parë kishte çrregullime të spektrit të autizmit. Ndërsa e kisha të vështirë të pranoja realitetin, ndodhi që edhe kur lindi djali i dytë, ai kishte të njëjtin çrregullim. Kur të papriturat e jetës dukej se më kishin sfilitur mjaftueshëm, mësova se edhe djali i tretë kishte çrregullime të spektrit të autizmit. Më dukej e pabesueshme, por ky ishte fati im dhe i fëmijëve të mi.”
Jeta është treguar e vështirë me Dhuratën nga Durrësi, por 43-vjeçarja ka gjetur forcën që në mes të dhimbjes dhe sfidave të ecë përpara. Tre fëmijët e saj, Klevisi 20 vjeç, Xhemali 18 vjeç dhe Egzoni 8 vjeç janë diagnostikuar me çrregullime të spektrit të autizmit.
“Kur lindi Klevisi, u befasuam nga sjelljet e tij. Nuk e dinim se çfarë problemi kishte dhe nuk u besoja syve kur e shihja. Ishte fëmija i parë. Unë isha shumë e re dhe kjo më shkaktoi tronditje. Në moshën 3-vjeçare na thanë që kishte çrregullime të spektrit të autizmit. Nuk kishim asnjë mundësi që të shkonim në ndonjë mjek specialist për shkak se nuk kishim të ardhura të mjaftueshme,”- na tregon Dhurata.
Klevisi ishte gëzimi i parë i familjes. Sot ai është 20 vjeç, por nuk ka bërë asnjë ditë shkollë dhe qëndron thuajse gjatë gjithë kohës në shtëpi. Ndryshe nga Klevisi, djali i dytë, Xhemali është më aktiv dhe arrin që të flasë disa fjalë. Dhurata na tregon se shpesh i duhet ndihma e bashkëshortit apo edhe e fqinjëve për të menaxhuar fëmijët.
“Kur u hap qendra e terapisë, Klevisi ishte në një moshë që nuk mbahej dot. Tani nuk e nxjerr dot as nga shtëpia vetem, pasi është shumë agresiv. Djali i dytë, Xhemali arrin të shkruajë emrin e tij, por vetëm kaq, pasi as ai nuk e ka ndjekur shkollën. Kur flet nuk arrin të formojë dot fjali, por thotë ndonjë fjalë. I kupton oraret e terapisë, por duke qenë se seancat i ka nisur gjatë adoleshencës, nuk ka patur shumë progres,”- vijon rrëfimin e saj Dhurata.
E gjithë shpresa e Dhuratës është tek djali i saj i tretë, Egzoni. 8-vjeçari është në klasë të dytë, i pëlqen shkolla dhe përfshihet në lojëra e diskutime më shokët dhe shoqet e klasës. Terapia për vogëlushin ka qenë jetëndryshuese. Ai mund të shkojë vetë në shkollë, luan futboll dhe përpiqet të ndihmojë edhe mamanë në punët e shtëpisë.
“Egzoni është më i zgjuar. Krahasur me dy fëmijët e tjerë është si nata me ditën. Flet, diskuton, kërkon. Ai është shpresa ime dhe e gjithë familjes. Ka ende vështirësi, por besoj se një ditë do të jetë i pavarur. Ndonjëherë harroj që Egzoni ka probleme. Shpesh me motivon me progresin e tij dhe i them vetës ky djalë do të bëhet dikushi në jetë. Kam shpresa të mëdha, por vetëm Zoti e di se cili do të jetë fati i tij. Dëshira ime është që ta angazhoj edhe në aktivitete të tjera që të përshihet dhe të socializohet me shokët,”- shprehet nëna 43-vjeçare, teksa në fytyrë i lexohet shpresa që ka se e ardhmja për vogëlushin e saj do të jetë më e mirë.
Familja e Dhuratës është prej 10 vitesh pjesë e programeve të World Vision Albania dhe është mbështetur kryesisht me shërbim logopedie, këshillim psikologjik, si dhe me trajnime nga ekspertë të fushës së aftësisë së kufizuar. Dhurata nuk punon, pasi gjithë kohën i duhet të kujdesët për 3 fëmijët. As Dritani, bashkëshorti i saj, nuk ka një punë të vazhdueshme. Ai përpiqet të sigurojë të ardhura për familjen duke punuar në punë të ndryshme, ndërsa shpesh provon edhe të emigrojë jashtë vendit.
“Xhemali ishte në kopësht kur u njohëm me World Vision Albania. Aty nisi lidhja jonë dhe ka qenë një ndihmë e madhe. Na kanë mbështetur me seanca terapie, trajnime, na kanë ndihmuar duke na lidhur edhe me autoritetet lokale. Gjithashtu jemi mbështetur me mjete shkollore dhe paketa ushqimore. Jam mirënjohëse që me mbështetjen e World Vision, sot Egzoni ka një hapësirë në shkollë dedikuar aftësisë së kufizuar,”- thotë me mirënjohje ajo, duke theksuar se përfshirja në Hapësirën Zhvillimore ka rezultuar jetëndryshuese për djalin e saj.
Dy herë në javë, Dhurata udhëton drejt Durrësit, aty ku fëmijët zhvillojnë seancat e terapisë. Jetesa në periferi të qytetit e vështirëson lëvizjen e saj, ndaj shpesh i vijnë në ndihmë edhe njerëzit e afërm. Përveç vështirësive më fëmijët, familja e Dhuratës u përball me një tjetër sfidë 3 vite më parë. Tërmeti i Nëntorit të vitit 2019 i shkatërroi shtëpinë. Bashkia e Durrësit mundësoi ndërtimin e një banesë të re, ndërsa World Vision Albania u kujdes për mobilimin e saj.
Sot, familja ka ende nevojë për mbështetje ekonomike, por shqetësimi më i madh i Dhuratës është e ardhmja e fëmijëve të saj. Si një nënë e përkushtuar, aty i rreh zemra. Përpiqet në çdo mënyrë që Klevisi, Xhemali dhe Egzoni të kenë mundësi ta jetojnë jetën në plotësi dhe të shfaqin potencialin e tyre të plotë.
“Dua që të vazhdojë terapia për Egzonin, pasi është vetëm një hap larg të qenit i pavarur. Kjo është e vetmja mundësi për të dhe familjen tonë. Edhe Klevisi dhe Xhemali kanë nevojë për më shumë terapi dhe shërbime. Më dhëmb shpirti kur i shoh të qëndrojnë në shtëpi gjatë gjithë kohës, por unë kaq mundësi kam,”-e mbyll mesazhin e saj nëna e tre fëmijëve, me një apel për ndihmë drejtuar të gjithëve.