Eksportet drejt Italisë 128.4 miliardë lekë gjatë 8-mujorit

1

Në tetëmujorin e këtij viti eksportet e mallrave drejt vendeve të BE-së arritën vlerën 300 miliardë lekëve, ndërsa INSTAT bëri të ditur se partneri kryesor tregtar për këtë periudhë është Italia, drejt së cilës shkuan mbi 29.4 % e totalit të eksporteve.

Referuar INSTAT, eksportet drejt Italisë në vlerë llogariten 128.4 miliardë lekë. Pjesën më të madhe të eksporteve drejt Italisë e zë grupi “tekstile dhe këpucë”.

Nga 85.3 miliardë lekë që është vlera e eksporteve të grupit “tekstile dhe këpucë“ për tetëmujorin, eksporti i këtij grupi drejt Italisë llogaritet gati 66.5 miliardë lekë.

Eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale” drejt vendit fqinj llogariten gati 17.3 miliardë lekë, ndërsa eksporti i grupit “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” llogaritet rreth 14.1 miliardë lekë.

Eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji” shënuan rënie me gati 3 herë, duke zbritur në vlerën 6.4 miliardë lekë, nga 17.2 miliardë lekë që ishin në janar-gusht 2022.

Shqipëria eksportoi drejt Italisë edhe produkte ushqimore, që në vlerë për 8 muajt e parë të vitit llogariten 10.2 miliard lekë.

Ndërkohë edhe importet shënuan rënie. Referuar statistikave, importet drejt Italisë në tetëmujorin e këtij viti llogariten 128.9 miliardë lekë, nga 134 miliardë lekë që ishin në periudhën janar-gusht të 2022.

Importi i grupit “tekstile dhe këpucë” llogaritet 28.4 miliardë lekë me një rënie prej gati 4 miliardë lekësh krahasuar me 8-mujorin e 2022-shit, kur u importuan 32.1 miliardë lekë tekstile dhe këpucë.

/ata.gov.al