Në Galerinë Kombëtare të Arteve, pasditen e të shtunës, më 12 nentor 2016, u zhvillua ceremonia e përurimit të ekspozitës “Flas Shqip”, e fotografit Roland Tasho. Kjo ekspozitë prezanton personalitete të Diasporës shqiptare të fokusuar ndër vite në objektivin e Roland Tashos. Një udhëtim i gjatë i artistit, për të sjellë përmes këtij dokumenti vizual, imazhin e këtyre personaliteteve dhe jo vetëm, nga vendet ku ata punojnë dhe jetojnë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati tha se kjo ishte mënyra më e mirë për të hapur javën e diasporës në Tiranë.”Besojmë se nuk kishte mënyrë më të mirë sesa për të çelur siparin e aktivitetetve që do ti paraprijnë javës së diasporës dhe Samitit të Diasporës me këtë ekspozitë të Rolandit, e cila përmbledh personalitete të diasporës shqiptare kryesisht pas rënies së komunizmit”.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nga ana e saj theksoi se diaspora ka ruajtur lidhjet me Shqipërinë. “Perveç dokumentimit, kjo ekspozitë na rrëfen sesi diaspora shqiptare është bërë pjesë e integrimit. Është kënaqësi të shikosh që janë gjithmonë e më të integruar jo vetëm kulturalisht, jo vetëm shoqërisht, por edhe profesionalisht. Kjo ekspozite na tregon sesi shqiptarë të lindur jashtë kufijve rigjenerojnë kulturën shqiptare dhe na bën të mendojmë sesi kështu humbet kuptimi i kufijve administrativë dhe merr vlerë hapesira ku qarkullojne idetë e kulturës dhe popujt e kulturave të ndryshme”.
Imazhet e përcjella të Roland Tashos bënë bashkë edhe përfaqësues të qeverisë, diasporës dhe trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.
Kjo ekspozitë organizohet në kuadër të Samitit të Diasporës dhe do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar dhe Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë nga data 12-20 nëntor 2016.