“El Viajero Fisgón”: Eksploroni historinë, kulturën dhe natyrën unike të Shqipërisë

22

Një nga destinacionet më të rekomanduara për të vizituar këtë vit midis muajve maj dhe shtator është Shqipëria, e vendosur në zemër të Ballkanit, shkruan Paula Pujol në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Viajero Fisgón”.

Shqipëria, e njohur si “vendi i shqiponjave” ka shumë për të ofruar, nga peizazhet mahnitëse plot aventura, te historia dhe kultura unike dhe autentike.

Ju mund të zhyteni në bukuritë e Shqipërisë dhe të zbuloni vendet më turistike të vendit.

Shqipëria, një destinacion që të rrëmben ndjenjat

Shqipëria është plot me mundësi për t’u shkëputur nga rutina.

Ju mund të shëtisni nëpër rrugët me kalldrëm të mbushura me histori të shekujve të kaluar, të ecni nëpër malet dhe liqenet e Alpeve Shqiptare dhe të vizitoni zonën bregdetare të vendit.

Zbuloni kryeqytetin, Tiranën

Nisni aventurën tuaj në kryeqytetin e gjallë të Shqipërisë, Tiranë.

Zhytuni në atmosferën e gjallë ndërsa eksploroni Sheshin Skënderbej, në zemër të qytetit, ku qëndron një statujë e heroit kombëtar.

Gjithashtu, do të keni mundësinë të gërmoni në historinë e vendit dhe të vizitoni Xhaminë shumëngjyrëshe të Et’hem Beut dhe Muzeun Historik Kombëtar.

Mos e humbisni rastin të provoni kuzhinën e shijshme shqiptare në një nga restorantet lokale.

Eksploroni qytetin antik të Beratit

Vizitoni qytetin piktoresk të Beratit, i njohur si “Qyteti i një mijë dritareve”.

I përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati do t’ju befasojë me hijeshinë e tij mesjetare dhe pamjet mahnitëse panoramike.

Eksploroni lagjen Mangalem, me shtëpitë e bardha me shkallë, dhe ngjituni në Kalanë e Beratit për të shijuar pamjen spektakolare të luginës dhe lumit.

Vizitoni bukuritë natyrore të Gjirokastrës dhe Butrintit

Udhëtoni në qytetin e Gjirokastrës, një tjetër perlë e trashëgimisë botërore.

Eksploroni kështjellën e saj mbresëlënëse dhe rrënojat e Butrintit, një vend arkeologjik i shpallur gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ecni mes tempujve të lashtë, teatrove dhe fortifikimeve të këtij qyteti antik.

Relaksohuni në plazhin e Gjipesë

Nuk ka mënyrë më të mirë për të përfunduar udhëtimin sesa të vizitoni zonën bregdetare të vendit, ku mund të relaksoheni dhe të çlodheni.

Drejtohuni drejt bregdetit të bukur të plazhit të Gjipesë, ku do të gjeni disa nga plazhet më mahnitëse në Shqipëri.

Shijoni një ditë relaksuese në plazh duke notuar në ujërat e kristalta të plazhit të Gjipesë.

Në këtë arratisje ju mund të shfrytëzoni rastin për të shijuar historinë, kulturën dhe natyrën unike të Shqipërisë.

/ata.gov.al