“La Razón”: Shqipëria destinacioni surprizë i Evropës Lindore

1

Midis Lindjes dhe Perëndimit, relativisht e paeksploruar dhe misterioze, ndodhet një nga perlat e fshehura të Evropës që po mahnit udhëtarët më kureshtarë, Shqipëria, shkruan Maica Rivera në një artikull në të përditshmen spanjolle “La Razón”.

Pasuria natyrore dhe ndikimet kulturore e bëjnë këtë vend të vogël një destinacion shumë tërheqës dhe befasues.

E vërteta është se kjo pjesë e vogël e Evropës ka thesare autentike që variojnë nga kontrastet magjepsëse në formën e plazheve parajsore, maleve mbresëlënëse dhe liqeneve me bukuri të jashtëzakonshme deri te vendet përrallore arkeologjike dhe qytetet e bukura si Berati, Gjirokastra dhe Korça që duket se kanë ardhur nga mjediset e një historie të bukur.

Pa harruar kryeqytetin multikulturor, emocionues dhe unik, Tiranën.

Për më tepër, një arsye bindëse pse Shqipëria duhet të jetë në listën e destinacioneve të kësaj pranvere është se marsi është një kohë e shkëlqyer për ta zbuluar atë, pasi çdo vit, më 14 mars, populli shqiptar feston “Ditën e Verës”, festivali më i madh pagan në vend.

Në këtë ditë, përveç rrugëve që mbushen me gëzim dhe mirëpresin sezonin e verës, mund të shijoni kuzhinën e pasur shqiptare me gjithë shkëlqimin e saj dhe të provoni, ndër të tjera, ballokumet tradicionale shqiptare dhe autoktone në Elbasan.

Nga ana tjetër, Festa e Nevruzit, më 21 mars, shënon fillimin e pranverës dhe festohet me rituale tradicionale të bukura dhe interesante.

Tirana, kryeqyteti i saj

Tirana arrin të lërë gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë ata që e vizitojnë.

Në të ndihet forca e tranzicionit të pabesueshëm që ka përjetuar Shqipëria për të lënë pas të kaluarën si një komb hermetik dhe për t’u bërë vendi modern, i hapur dhe mikpritës që është sot.

Kjo forcë i jep atmosferës së qytetit një mister dhe fuqi joshëse të parezistueshme.

Sot, Tirana prezantohet si një qytet i larmishëm ku mund të gjesh xhami dhe kisha ortodokse osmane si dhe fasada të lyera që i japin ngjyrë ndërtimeve të vjetra të diktaturës.

Për të zbuluar Tiranën, vizitoni qendrën e saj historike, zemra e së cilës rreh në Sheshin Skënderbej.

Rreth saj ndodhen ndërtesa të rëndësishme si Muzeu Historik Kombëtar, Pallati i Kulturës ku ndodhen Opera dhe Biblioteka Kombëtare, Xhamia e Eh’tm Beut dhe hoteli luksoz “Tirana International”.

Vetëm gjashtë minuta larg sheshit të Skënderbej qëndron një nga kishat ortodokse lindore më të mëdha në Ballkan, Katedralja Ortodokse e Ngjalljes së Krishtit dhe pranë saj ndodhet edhe Kulla e Sahatit, e bukur dhe emblematike.

Një tjetër pikë turistike në Tiranë janë Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, dy bunkerë të kthyer në hapësira kulturore.

Ekspozitat e tyre kujtojnë ashpërsinë e luftës dhe regjimin e diktaturës.

Gjithashtu, vizitoni lagjen e Bllokut, e cila ishte zona private e banimit të zyrtarëve të lartë të diktaturës.

Sot, ajo është lagjja më “cool” në Tiranë, plot gjallëri, dyqane dhe restorante.

Riviera Shqiptare

Edhe pse vetë Tirana ka disa hapësira të jashtëzakonshme natyrore, si liqeni në Parkun e Madh, ideal për shëtitje dhe për të shijuar natyrën, Riviera Shqiptare është vendi ideal për të kaluar pushimet verore.

Riviera ofron plazhe, peizazhe të virgjëra, muzgje unike dhe vende arkeologjike. Dhe të gjitha pa turma vizitorësh.

Nga veriu në jug për shkak të afërsisë me Tiranën, ndalesa e parë në këtë rrugë është qyteti antik grek i Apolonisë.

Përveç mbetjeve të ndryshme mbi 2000-vjeçare, ju mund të vizitoni Muzeun e tij interesant Arkeologjik.

Më në jug ndodhet Himara, me restorante të mrekullueshme me pamje nga deti.

Në këtë zonë spikat mbi të gjitha kështjella e Porto Palermos, e vendosur në një ishull.

Ky ndërtim solemn i rrethuar nga bimësia dhe bukuria e papërshkrueshme e detit Jon i atribuohet venecianëve dhe ia vlen të vizitohet pasi ofron pamje spektakolare.

Gjithashtu, vizitoni Borshin, një fshat bregdetar mbresëlënës me plazhin më të gjatë në Rivierë.

Në këtë plazh, përveç bukurisë, bie në sy shëtitorja madhështore dhe restorantet joshëse.

Esenciale është edhe Saranda, “kryeqyteti jozyrtar” i Rivierës Shqiptare.

Saranda është perfekte për të pushuar në diell në plazhet e saj, dhe për të shijuar kuzhinën vendase në restorantet e saj të shumta, të cilat edhe pse me ndikime mesdhetare, greke, italiane dhe turke, kanë personalitetin e tyre.

Duke ndjekur këtë itinerar në atë që quhet “Karaibet Evropiane”, vizitoni Ksamilin, destinacionin më të pëlqyer të plazhit nga shqiptarët.

Plazhet e tij me rërë të bardhë, edhe pse kryesisht private, janë krahasuar me Karaibet dhe ofrojnë një muzg të mrekullueshëm që duket si kartolina perfekte e këtij vendi parajsor.

Ndalesa e fundit është Parku Kombëtar i Butrintit, një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike, i përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Teatri, pallati me tre lobe, pagëzimorja me mozaikët dhe bazilika e madhe e hershme e krishterë janë rrënojat më të dukshme.

Bukuria e vendeve që ofron Shqipëria, kthjelltësia emocionale e Tiranës kanë tërhequr vëmendjen e çdo udhëtari.

Shqipëria është vendi ideal për një arratisje këtë pranverë.

/ata.gov.al