Eurosong për fëmijë, komente pozitive për përfaqësuesen e Shqipërisë

136

Me një fabul që rrëfen se të qënurit Barbie nuk nënkupton gjithmonë brishtësi , fituesja e Junior Fest Albania, Efi Gjika ka prezantuar videoklipin e këngës së saj ‘ Barbie’ në kompeticionin europian të këngës Junior Eurovision Song Contest . Kënga ‘Barbie’ interpretuar dhe kompozuar nga Efi Gjika me tekst të Kristina Gjikës, nuk ka vonuar të marrë komente pozitive fill pas publikimit të saj .

Videoklipi i konceptuar si një film në miniature përcjell artistikisht mesazhin e këngës, një thiarrje drejtuar të rriturve për të shkuar përtej pamjes së jashtme e për të mos i parë fëmijet si kukulla që kanë vetëm nevoja por nuk kanë nevojë për komunikim.

Realizimi profesional i videoklipit nga RTSH ndjek dhe plotëson vijën melodike të këngës , duke sjellë një krijim diellor plot ritëm dhe energji.

Vlerësimet e kritikës dhe komentet pas publikimit të këngës parathonë një klasifikim mes krijimeve më të mira të këtij festivali për këngëtaren 10 vjeçare shqiptare.

Efi Gjika studion prej tre vitesh kanto dhe në vitin 2017 ishte pjesëmarrëse në Festivalin mbarëkombëtar për fëmijë në Shkodër me këngën ”Arkitektja”.

Junior Eurovision Song Contest, ku Efi Gjika po përfaqëson Shqipërinë me këngën e saj Barbie këtë vit, mbahet në Minsk të Bjellorusisë më 25 nëntor.