Fluks i lartë turistësh në Berat: Deri tani 640 000 vendas e të huaj

7

Turistët e shumtë kanë mbushur rrugicat dhe kalanë e qytetit të  Beratit këtë sezon veror dhe sidomos në këto ditë të fundit të gushtit.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në 20 gusht Berati ka tërhequr 640 mijë vizitorë, një shifër e lartë si asnjë vit më parë”.

Sipas saj, fluksi më i lartë ka qenë në muajt maj-gusht.

“Pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga Azia , SHBA , Kanada dhe Australia. Në krye të listës janë turistët nga Gjermania, Polania, Spanjat, Franca, Italian etj”, tha Merdani.

Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica Mangalemi qe kanë pasuri UNESCO, Muzeu Ikonografik Onufri, Qendra Mesjetare, objektet e kultit Bizantin dhe Xhamitë e vjetra të periudhës Otomane.

Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e eko-turizmit, fshatrat turistik Roshnik, Sinjë , Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në Lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga Mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turret e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet që tërheq edhe më shumë turistë. Ajo është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

/ata.gov.al