Fluks udhëtarësh në Portin e Vlorës, mbi 18 mijë vetëm në korrik

8

Në portin e Vlorës, i dyti më i madh në vend, në muajin korrik të këtij viti ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh.

Drejtori i portit të Vlorës, Ilir Banushi, tha sot për ATSH-në se “vazhdon të jetë i lartë numri i udhëtarëve që zgjedhin të udhëtojnë nëpërmjet Portit të Vlorës. Në port gjatë muajit korrik kanë hyrë 18.231 udhëtarë, 1396 më shumë se viti 2022 ose 8 % më shumë”.

“Vetura kanë hyrë 3858 ose 841 me shumë se viti 2022. Në përqindje janë 28 % më shumë. Rreth 75 % e hyrjeve janë të javës së fundit të korrikut”, tha Banushi.

Banushi vuri në dukje se “si total hyrjet dhe daljet janë 3534 udhëtarë  më shumë se korriku i vitit 2022 ose 15 % me shumë dhe vetura janë 1600 më shumë ose 37 % më shumë”.

Sipas tij, hyrjet janë rreth 50 % me 50 % shtetas shqiptarë e të huaj.

“Për sa i përket mjeteve të përpunuara 85 % e tyre janë automjete të huaja”, shtoi ai.

Banushi u shpreh se vetëm gjatë fundjavës që lamë pas në Portin e Vlorës kanë mbërritur me 3 tragete të linjës Vlorë-Brindizi 4585 pasagjerë nga të cilët 2075 janë shtetas të huaj, si dhe 1061 automjete”.

Autoritetet portuale kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa kanë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer sa më mirë fluksit të pasagjerëve sidomos gjatë sezonit turistik.

Vlora gjithnjë e më shumë gjatë sezonit turistik kthehet në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

/ata.gov.al