Flutura e rrallë Saturnia pyri fotografohet në Parkun Kombëtar të Dajtit

43

Parku Kombëtar i Dajtit është i njohur për shumëllojshmërinë e fluturave që jetojnë në habitatet e tij. Saturnia pyri, ose e njohur ndryshe edhe si “mola gjigante e palloit”, “mola gjigante e perandorit” ose “perandori vjenez”, është njëra prej tyre, e cila vjen e dokumentuar në park nga specialistët.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e ka fotografuar këtë flutur të rrallë në Parkun Kombëtar të Dajtit.

Ajo ka një gjerësi krahësh që arrin në 15-20 cm dhe mbijeton në pyje e në shkurre të hapura. Larvat shumëngjyrëshe ushqehen me disa lloje pemësh dhe shkurresh drunore, gjetherënëse.

Saturnia pyri është një specie e Evropës Jugore. Ajo gjendet në rajonet më të ngrohta të Evropës: nga Portugalia dhe Afrika e Veriut, Franca Jugore, përmes Alpeve (Austri dhe Zvicër) në Ballkan, Itali dhe Ukrainë. Gjendet nëpër malet e Kaukazit, Gjeorgjisë, Azerbajxhanit deri në Turqi, Irakun verior, Siri, malet e veriut të Iranit, Liban, Izrael dhe malet Alborz dhe Zagros të Iranit.

Popullsitë e Saturnia pyri janë të pranishme edhe në ishujt mesdhetarë të Korsikës dhe Sardenjës.

Shqipja e kënetës (circus aeruginosus) është një tjetër banore e rëndësishme e faunës së vendit tonë. Teksa shihet në fluturim, ajo mund të ngatërrohet edhe me hutën, por në dallim nga ajo, shqiponja e kënetës ka bisht më të gjatë dhe krahë më të ngushtë, të cilët arrijnë një hapje prej 115-140 cm, duke krijuar një formë “V”-je.

Habitati i saj i preferuar janë: liqenet, ligatinat, rezervuaret, grykëderdhjet e lumenjve me shtrate të gjerë kallamishteje. Shpesh ajo shihet duke gjuajtur ulët, anash kallamishteve dhe në livadhe të hapura apo zona rurale.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunorë tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë mbetet numri i përditshëm i vizitorëve vendas e të huaj që vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë, midis të cilëve edhe pelikanin kaçurrel, që tashmë e kanë kthyer lagunën e Divjakë-Karavastasë në habitatin e tyre të përhershëm.

/ata.gov.al