FOTO/ Restaurimi i kishës 700 vjeçare në Rubik drejt përfundimit

57

Punimet e restaurimit në Kishën e T’Shëlbuemit, monument kulture kategoria I, në Rubik, Mirditë janë në fazën përfundimtare. Eu4Culture bën të ditur se “janë duke u kryer ndërhyrjet e fundit dhe kemi filluar numërimin mbrapsht deri në ditën e inaugurimit”.

Një pjesë e rëndësishme e punimeve të konservimit ka të bëjë me stabilizimin emergjent të asaj çka ka mbetur nga pikturat murale të shekullit të 13-të. Pikturat janë në muret e absidës së Kishës dhe po “mbrohen” nga specialistë të ruajtjes së veprave të artit.

Kisha e Rubikut ndodhet mbi një kodër shkëmbore në qytetin e Rubikut. Kisha përfaqëson një objekt të rëndësishëm kulti të shek. XII-XIII. Ajo ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1272.

Vlerë unikale e saj janë afresket, piktura murale të stilit bizantin. Godina është monument kulture dhe paraqet interes të veçantë në aspektin ndërtimor dhe arkitektural. Kisha e Rubikut ka shërbyer si abaci benedikte dhe kuvend françeskan.

Punimet restauruese u bënë të mundura nga programi EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Ky objekt kulti ka vlera të rralla në vendin tonë. Në këtë kishë gjenden afreske ndër më të vjetrat në Shqipëri. Afresket janë të stilit bizantin, ku bazuar në shkrimet gotike që dallohen qartazi në to çka vërteton qartësisht se këto afreske datojnë me vitin 1272.