FOTO/ Shqiptari që revolucionarizoi arsimin në listën e Forbes, mes 30 të rinjve më të famshëm në botë

24

Revista prestigjioze Forbes ka publikuar sot për herë të 7 listën “Forbes 30”, në të cilën prezantohen imazhet e 30 të rinjve që janë liderë në inovacion, duke ndërtuar sipërmarrje që kanë transformuar botën e biznesit apo shoqërinë në vendet prej nga vijnë.

Mes emrave në listë renditet dhe i riu shqiptar Dean Çelaj, i cili në vitin 2019 krijoi website-n “Akademi.al”, në një përpjekje për të përmirësuar dhe sjelle inovacion në mënyrën e mësimdhënies në Shqipëri.

Dean Çelaj ka mbaruar studimet në “University College London” me bursë nga “Fondi i Ekselencës” nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), ndërkohë që platforma e krijuar prej tij ishte “shpëtimtare” për nxënësit, mësuesit dhe prindërit gjatë periudhës së pandemisë “Covid-19”.

Në kohën kur pandemia u ul këmbëkryq në vend, Akademi.al firmosi kontrata me qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për t’u bërë e para platformë e mësimit në distancë, me mbi 545,000 përdorues dhe rreth 23,000 video të mësimdhënies në gjuhën shqipe.

Sipas Forbes të renditurit në listën e “Forbes 30 Under 30 Europe”, kanë arritur të grumbullojnë të gjithë bashkë një shumë prej 2 milionë dollarësh në investime për projektet e tyre, shifër kjo dyfish më e lartë se viti i kaluar.

Ndërkohë në platformën e drejtuar prej tij thuhet: “Ne synojmë të edukojmë çdo individ, kryesisht studentë me metodat tona interaktive, duke sjellë shkollën më pranë jush. Të nxisim këdo, pavarësisht moshës, për të marrë dije në çdo moment kudo që ndodhen”.