FOTOT/ 3 vjet në UNESCO, Rrajca mrekullia natyrore që tërheq turistë në çdo stinë

49

Administrata e Zonave te Mbrojtura Elbasan soli sot në vëmendje 3-vjetorin e Rrajcës në Unesco.

Rrajca është një destinacion i preferuar i turistëve vendas dhe të huaj sepse ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore.

Rrajca ka 2129.5 ha  zona strikte, 2509.85 zona buferike. Në 7 korrik 2017, në Sesionin  e 41-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i mbledhur në Krakovë, Poloni u miratua zgjerimi i zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetër të Ahut (Fagus sylvatica, L.) edhe me dy zona nga Shqipëria, duke i përfshirë ato në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s.

Ky zgjerim ndërkufitar i siteve të Trashëgimisë Botërore të pyjeve primar të Ahut të Karpateve dhe pyjeve të Ahut të Gjermanisë (Gjermania, Sllovakia, Ukraina) shtrihet në 12 vende.

Që nga fundi i epokës së fundit të akullnajave, Ahu evropian u përhap nga disa strehime të izoluara në Alpe, Karpate, Mesdhe dhe Pirene, për një periudhë të shkurtër prej disa mijë vitesh në një proces që është ende në vazhdim.

Ky zgjerim i suksesshëm lidhet me fleksibilitetin e llojit dhe tolerancën e kushteve të ndryshme klimatike, gjeografike dhe fizike.

Pyjet primar të Ahut të Karpateve dhe në rajonet e tjera të Evropës (Shqipëri, Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Gjermani, Itali, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Ukrainë), përfshihen në Listën e Trashëgimisë Botërore, të UNESCO-s.

Rrajca, një fshat në lartësitë e Librazhdit pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik Jabllanicë, po kthehet çdo vit e më tepër një atraksion i fuqishëm turistik. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.

Janë Liqenet akullnajore të Rrajcës, pjesë e këtij Parkut, që e bëjnë Rrajcën një nga destinacionet e veçanta turistike natyrore që mund të eksplorohen në çdo stinë.