Fotot/ Fluks vizitorësh gjatë prillit në Kalanë e Rozafës

24

Kalaja e Rozafës, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë vizitorë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se “gjatë muajve të parë të 2022 vizitat turistike në kalanë Rozafa kanë vijuar me ecurinë pozitive në prag të sezonit turistik duke reflektuar rritje të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj. Gjatë muajit prill kalaja e Rozafës u vizitua nga 6281 vizitorë, ose 4306 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtit muaj të 2021″.

Sipas DRTK Shkodër, fluksi i turistëve është një ogur i mirë, për një sezon turistik 2022 të mbarë. Gjatë vitit 2021 kjo kala u vizitua nga mbi 51 mijë turistë vendas e të huaj.

Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: e Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.