FOTOT/ Gjelëza e madhe, një tjetër mik i veçantë gjen strehë në Shqipëri

20

Fundjavën e kaluar gjatë monitorimit në ligatinën e Sektor-Rinia, në gjirin e Lalzit, e njohur ndërkombëtarisht si Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA), ekipi i PPNEA arriti të vrojtojë 3 individë të gjelëzës së madhe (Calidris canutus).

Ky vrojtim përfaqëson rastin e parë të dimërimit të gjelëzës së madhe në këtë zonë dhe, në të njëjtën kohë, paraqet rastin e dytë të dimërimit të këtij lloji në Shqipëri. Raportimi i parë i dimërimit të gjelëzës së madhe është bërë në janar të këtij viti, gjatë Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit, në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Gjelëza e madhe haset në Shqipëri gjatë përiudhës së kalimit, ndërkohë që folezon në vendet veriore dhe dimëron në brigjet perëndimore të Afrikës, një “ritual” të cilin e kryen duke përshkuar rrugën e shtegtimit të Adriatikut, ku vendi ynë është një zonë kyç.

Vrojtime të tilla tregojnë rëndësinë e lagunave bregdetare të vendit tonë si mjedise ndalimi apo dimërimi për shumë lloje të shpendëve të ujit, duke përfshirë edhe ato që mbartin një status rrezikimi në nivel global.