FOTOT/ Mijëra vjet histori, “Xhubleta” vjen si libër

40

“Xhubleta” është libri më i ri i promovuar nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, me autore prof. dr. Afërdita Onuzin.

Libri është prezantuar në Sallën Albanologjike në Pallatin e Kongreseve, në kuadër të “Ditëve të Albanologjisë”.

Për xhubletën, sikurse thekson autorja, ka një mori kontributesh nga autorë shqiptarë dhe të huaj, autoritete në fushën e historisë së kulturës dhe antropologjisë. Por asnjëherë më parë nuk kemi patur një vëllim kushtuar xhubletës. Botimi në fjalë është një studim dhe paraqitje e detajuar në shqip dhe anglisht e historisë së prejardhjes, përhapjes, shkaqeve të ruajtjes dhe transmetimit, besimeve dhe domethënieve kulturore. Veç jetës historike të xhubletës, një vend specifik zë trajtimi i saj në ciklin e jetës së njeriut: kur vishet për herë të parë “xhubleta e mirë”, “xhubleta e keqe”, pra xhubleta për nusëri, e xhubleta për jetën tjetër etj.

Etnografja Onuzi tregon edhe se si ndryshon modeli i xhubletës nga Dukagjini, Nikaj Mërtur në Kelmend, prej gjysmës së dytë të shek. XIX deri në fillim të shek. XX. Pjesë e veshjes janë stolitë që përpunoheshin nga artizanët e Shkodrës dhe Prizrenit.

Krahas tekstit, vëllimi është pajisur me foto të xhubletës, nga të gjitha trevat ku shtrihet koleksioni që është përdorur për të konceptuar këtë vëllim. Kësisoj, fotot mbulojnë tipologjitë e xhubletave, pjesët përbërëse të tyre, paraqitjen e kujdesshme të simboleve kryesore, raportit të ngjyrave.

Në këtë mënyrë prof. dr. Afërdita Onuzi sjell një vepër solide dhe të bukur, fryt i një pune e reflektimesh që nis, së paku, prej fundviteve ’70 e deri më tani.

“Xhubleta” (botim i departamentit të Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit – ASA) është pjesë e një serie botimesh që do të pasqyrojnë kulturën materiale, në kuadër të zbatimit të projektit “Atlasi etnografik”./atsh