FOTOT/ Parajsa e zogjve, një lloj i ri shpendi i shtohet Shqipërisë

149

Në Ditën Ndërkombëtare të Larmisë Biologjike, shoqata Shpendët e Shqipërisë ka ndarë një lajm të mirë të gjetjes së një lloji të ri shpendi për Shqipërinë, që e pasuron edhe më tej listën e shpendëve dhe biodiversitetin e vendit tonë.

Bëhet fjalë për dallëndyshen e detit krahëzezë (Glareola nordmanni), gjetur nga kërkuesit pak ditë më parë gjatë punës kërikmore për inventarizimin e shpendëve folezues.

Ku u has ky lloj?

E ku tjetër, përveç se në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, në xhevairin e shëndritshëm të natyrës shqiptare dhe gjithë Pellgut të Mesdheut.

Dallëndyshja e detit krahëzezë, është lloj shtegtar që dimëron në Afrikë, ndërsa arealin e saj normal folezues e ka në vendet përreth pjesës veriore dhe lindore të Detit të Zi deri në skajin lindor të Kazakistanit. Së fundmi, me shumë gjasë ky shpend ka filluar të ngrejë fole edhe në vendin tonë marrë për bazë interpretimin e të dhënave të grumbullura gjatë kërkimit.

Shqipëria është toka e biodiversitetit, vendi më i pasur në Evropë për numrin e taksoneve për njësi sipërfaqeje. Deri më tani në vendin tonë janë konfirmuar rreth 7500 taksone bimore dhe afro 6000 lloje të faunës. Megjithatë, (sikundër faktet tregojnë dhe gjetjet e reja vit pas viti) kjo është vetëm pjesëz, ndoshta e vogël, e asaj çka është gjetur deri më tani në vendin tonë dhe shumë mbetet për t’u gjetur në të ardhmen.