FOTOT/ Pas 50 vitesh, rikthehet folezimi i lejlekut në fushën e Maliqit

17

Shoqata “Shpendët e Shqipërisë” ndau sot lajmin e rrallë për rikthimin e foleizmit të lejlekut në fushën e Maliqit, dikur këneta e Maliqit, për herë të parë në së paku 50 vitet e fundit

Ky lajm erdhi si rezultat i një hulumtimi të ndërmarrë nga “Shpendët e Shqipërisë” që prej pranverës së këtij viti.

“Ky hulumtim u motivua, duke marrë për bazë faktin që në fillim të këtij sezoni folezimi, lejleku u vërejt në jo pak zona të vendit, dikur zona folezimi”, – thekson shoqata.

“Shpendët e Shqipërisë” nxiti dhe udhëzoi vullnetarë dhe kontakte të saj për të bërë hulumtime mbi folezimin e llojit në disa zona, përfshirë këtu edhe fushën e Maliqit.

Falë këtij hulumtimi, u arrit të vërtetohej folezimi i lejlekut në fushën e Maliqit si dhe të gjendej edhe foleja, ndërkohë që nga kjo zonë kemi raportime edhe për 2 fole të tjera të këtij lloji, që do ta çonte në 3 numrin total të foleve të lejlekut në fushën e Maliqit dhe në 9, numrin e foleve në nivel vendi.

Sipas shoqatës, vullnetarët kanë filluar punën për vërtetimin e informacionit dhe gjetjen e 2 foleve të tjera.

Lejleku është një prej shpendëve më të rrezikuar në vendin tonë, me një popullatë folezuese prej vetëm 7 çiftesh, marrë për bazë edhe gjetjen e fundit të saporaportuar.