FOTOT/ Zambaku shqiptar, që njihet në gjithë botën

163

Zambaku shqiptar (Lilium albanicum Griseb.) është një lule shumë e bukur që rritet në shumë zona të vendit tonë.

Ngjyra bazë e lules është e verdha por ka raste kur ajo shfaqet edhe në ngjyrë të kuqe.
Përveçse lule shumë e bukur, vlera më e madhe e bimës është edhe emri që ajo mbart ‘Zambaku shqiptar’, duke bërë të njohur emrin “shqiptar” kudo në literaturën botanike të botës.

Zambaku shqiptar është një bimë barishtore shumëvjeçare , qepore, e familjes zambakore (Liliaceae), me kërcell deri 40 cm të lartë, me gjethe heshtore të qerpikëta, me një rreth luleje të përbërë nga 8 petëla të verdha rreth 3 cm të gjata, të shpërveshura. Lulëzon në qershor korrik, bën fryt kapsulë. Si element ballkanik me epiqendër areali Shqipërinë dhe tepër i kufizuar në Greqi.

Zambaku shqiptar konsiderohet si neoendemik i vendit, i përhapur pothuaj në gjithë territorin, zakonisht në vende me bar, në kullota, në vende të thata shkëmbore të zonave malore deri në lartësinë 1700 m. Shumohet kryesisht në mënyrë vegjetative, por edhe me farë. Mund të futet në kulturë si bimë zbukuruese.