Bashkia Kolonjë njofton se, fshati i njohur turistik Rehova, është kthyer gjatë këtyre ditëve të ftohta në shesh xhirimi. Regjisorja italiane Guilia Grandinetti është duke xhiruar një film i cili trajton historinë e dashurisë mes një vajze shqiptare dhe një djali serb, marrëdhënie që has vështirësi por përfundon në altar.
Rehova u zgjodh krejt rastësisht prej regjisores italiane. Ajo kishte ardhur në Shqipëri për të zgjedhur vendin e duhur për të xhiruar këtë film.
Ka mjaftuar një defekt në mjetin e saj në Ersekë, për të zgjedhur këtë qytet por shumë më tepër Rehovën e njohur si sheshin ideal të xhirimit të filmit të saj.
Regjisorja ka zgjedhur një vajzë italiane që do të luajë personazhin shqiptar, edhe per faktin se karakteret janë pothuajse të njëjta, gjë që e pranon dhe aktorja kryesore e filmit, Caterina Bagnulo kur tha se, pikërisht për këtë ngjasim karakteresh e ka pranuar me dëshirë këtë rol.
Ndërsa në rolin e babait të vajzës është zgjedhur kolonjari Julian Jashari, me profesion arkitekt por që i ka bindur kineastet se karakteri i tij rri mirë si një baba shqiptar patriarkal.
Rehova është 2 km larg Ersekës dhe është i rrethuar nga kurora e 23 kishave. Rehova është shpallur Qendër e mbrojtur Historike me vendim të Këshillit të Ministrave, i miratuar më 25 janar 2017. Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.