Gjenerator punësimi dhe “magnet” për të huajt/ A mund të kthehet Shqipëria në oaz të shërbimeve të IT?

57

Interesi i të rinjve shqiptarë për të studiuar në degët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është rritur në vitet e fundit në vend. TIK po shndërrohet në një sektor me potencial punësimi, i nxitur edhe nga numri i studentëve që po diplomohen në këto degë studimi. Shumë kompani të huaja dhe vendase, me plane ambicioze për punësimin, po investojnë në sektor.

Sipas të dhënave të fundit, të vlefshme nga INSTAT, në vitin 2017 u diplomuan në fushën e studimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit rreth 2110 studentë, prej të cilëve 1400 përfunduan studimet Bachelor, ndjekur nga 702 studentë që përfunduan studimet master dhe 7, doktoraturën. Numri i të diplomuarve në TIK u rrit me 57%.

Në fakt, nuk është rastësi se pse kjo fushë studimi po tërheq si me magnet të rinjtë drejt saj. Edhe pse të studiosh informatikë është një trend global, pasi zhvillimet teknologjike janë një ndër faktorët kryesorë në ndryshimet e stilit të jetesës për njerëzit, është ndër profesionet e mirëpaguara, rreth të cilit është i orientuar edhe tregu i punësimit, ku nuk është nevoja për “miq” për të gjetur punë.

Nëse do të vëzhgojmë disa nga portalet kryesore të punësimit në vend, të cilat nxjerrin njoftime pune, ndër profilet kryesore më të kërkuara është IT-zhvillues softuerësh. Lufthansa Industry Solution ishte një nga kompanitë me numrin më të lartë të vendeve të lira të punës. Në maj të këtij viti, Lufthansa Indystry Solution bleu kompaninë AMD. Kjo e fundit operonte që prej vitit 2017 në tregun vendas në fushën e zhvillimit të programeve kompjuterike dhe administrimit të aplikacioneve, duke bashkuar kapacitetet unike të dy vendeve, profesionistët më të mirë të Shqipërisë dhe stilin e punës të Gjermanisë. Përfaqësues të kompanisë u shprehën për “Monitor” se aktualisht punësojnë 180 profesionistë dhe kanë rreth 30 vende pune të lira, kryesisht për programues.

Vitet e fundit është shtuar interesi i kompanive të huaja, të cilat janë vendosur në Shqipëri, nisur kryesisht nga kostot e ulëta të punës, por edhe nga numri gjithnjë e në rritje i burimeve njerëzore në këtë sektor.
Megjithatë, profesor Denis Saatçiu thotë se ka dhe shumë kompani të huaja apo të përbashkëta, që punësojnë 30-50 persona dhe që ofrojnë kryesisht shërbime të nënkontraktuara.

Edhe kompanitë shqiptare po krijojnë identitetin e tyre në një treg më të gjerë se ai shqiptar. Në zyrat e kompanisë Landmark Technologies është shumë e lehtë që me një vështrim të shquash se mosha e mesatare e të punësuarve, nuk është më shumë se 28 vjeç. Kompania operon si një agjenci dixhitale, me ekspertë web-i të cilët ofrojnë zgjidhje sipas nevojave dhe kërkesave të klientëve. Pjesa më e madhe e klientëve dhe e kërkesave, vijnë nga vende si Anglia, Holanda, Kanadaja, Zvicra, Italia, Dubai dhe Katari. Aktualisht, zhvilluesit e kësaj kompanie janë në përfundim të një prej projekteve, një algoritëm i sofistikuar, i cili ndihmon anijet për optimizmin e rrugës dhe shmangien e rreziqeve deri në ankorim. /Monitor