Gjirokastra mahnit turistët e huaj

345

Qyteti i Gjirokastrës është një nga destinacionet më të pëlqyera të turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë.

Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, objekti kryesor turistik i qyteti, Kalaja, është vizituar nga mbi 22 mijë turistë të huaj. Krahasuar me një vit më parë, kjo shifër është 3500 më tepër, sipas specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare.

Turistët e huaj janë kryesisht nga vendet perëndimore, por këtë vit ndryshe nga herët e tjera, interes kanë shfaqur edhe turistët nga Europa Lindore si Polonia, Rusia, Hungaria, Ukraina apo dhe vende baltike, si dhe nga Amerika Jugore dhe ajo Qendrore si Meksika, Hondurasi etj. Interesi i tyre më tepër është drejt zonës muzeale dhe sigurisht, pjesë e axhendës së pandarë është kështjella e qytetit. Destinacioni më i preferuar është Kalaja dhe kjo vërtetohet edhe nga numri i biletave të shitura gjatë kësaj periudhe, rreth 22 mijë të tilla.

Plot 5 milionë lek të rinj përllogaritet efekti fitimprurës nga ardhja e turistëve në kështjellën e qytetit, pa llogaritur këtu edhe përfitimet që ka pasur biznesi në zonën muzeale.