Histori suksesi/ Mjeku shqiptar vlerësohet me çmimin e karrierës në Kanada

125

Mjeku shqiptar Dr.Lulzim Rrafshi është vlerësuar nga Kolegji Kanadez i Mjekëve të Familjes me çmimin e karrierës.

Dr.Lulzim Rrafshi është vlerësuar për kontributin e veçantë që ka dhënë për më shumë se dhjetë vite ndaj komunitetit dhe kolegëve

Mjeku shqiptar u nderua në Forumin e Mjekësisë 2018 të zhvilluar nga 13 deri më 17 nëntor në Metro Convention Centre në Toronto, Kanada.

Në këtë forum Dr. Lulzim Rrafshi është nderuar me çmim karriere për “angazhimin dhe kontributin e veçantë dhe me përkushtim ndaj komunitetit dhe kolegëve”.

Ky vlerësim i akordohet mjekëve me një minimum shërbimi kohor prej 10 vitesh, të cilët ushtrojnë profesionin me korrektësi në përputhje me rregullat e certifikimit të disiplinës përkatëse.

Doktor Lulzim Rrafshi me origjinë nga Prishtina ka studiuar fillimit mjekësinë në Rumani dhe më emigroi familjarisht në Kanada në kohën e luftës së Kosovës në 1999. Prej vitit 2005 është i licensuar në Kanada në fushën e mjekësisë familjare. Aktualisht është anëtar Kolegji të Mjekëve të Ontarios dhe e ushtron profesionin në London të Ontarios.