Historia e mësuese Kelës: Motivi që më zgjon çdo ditë, dëshira për të parë jetë fëmijësh të transformuara

10

Motivi që më shtyn çdo ditë për të sakrifikuar nga koha dhe jeta ime, është dëshira për të parë jetë fëmijësh të transformuara. Megjithatë, që të arrij këtë gjë, më është dashur që çdo ditë të transformoj edhe veten time me dije të reja,” – thotë mësuese Enkelejda nga Korça.

Nënë e dy djemve, Enkelejda prej 24 vitesh ushtron profesionin e mësueses. Ka shëtitur shumë fshatra dhe ka dhënë mësim në shkolla nga më të ndryshmet, të vogla e të mëdha. Në fshatrat ku ka punuar të gjithë e njohin. Të gjithë e përshëndesin. Në sytë e prindërve dhe fëmijëve lexohet mirënjohja për mësuesën e tyre.

Mësuesja e ciklit fillor është vlerësuar gjithmonë nga nxënësit, komuniteti i prindërve dhe kolegët, për punën dhe përkushtimin e saj, për aftësitë komunikuese, për rezultatet e larta, për shembullin pozitiv që përçon për të gjithë mësuesit dhe brezat.

“Me World Vision Albania jam njohur në vitin 2008. Na bashkoi vizioni i përbashkët, si dhe dëshira e pasioni për t’iu ardhur në ndihmë fëmijëve, në mënyrë të veçantë atyre më në nevojë,”- thotë mësuese Kela, siç e thërrasin të gjithë, teksa kujton rrugëtimin e gjatë me World Vision Albania.

Puna me fëmijët për mësuesen korçare është kënaqësia më e madhe; është motivi që e zgjon çdo ditë. Përveç procesit mësimor, mësuesja e përkushtuar angazhohet edhe pasditeve apo në fundjave në projekte të ndryshme në mbështetje të fëmijëve.

Mësuese Kela beson tek potenciali i fëmijëve dhe të rinjve. Ajo i nxit nxënësit e saj që ta zbulojnë dhe shpërfaqin këtë potencial, duke i ndihmuar të ndërtojnë aftësi dhe kompetenca për të qenë qytetarë aktivë në komunitetet ku jetojnë, por edhe për të ndërmarrë nisma në shërbim të vetes së tyre, të familjes dhe komunitetit.

“Projekti që kam dashuruar dhe vazhdoj ta kem të preferuarin tim ka qenë projekti i “Detektivëve të Bibliotekës”. Në fillim konstatoja se shpesh fëmijët nuk arrinin të kuptonin atë që lexonin dhe u mungonte mendimi kritik,” – thekson mësuese Kela, teksa kujton bashkëpunimin me World Vision Albania.

“Detektivët e Bibliotekës” është një projekt që synon të promovojë pasurimin e bibliotekave të shkollës, nxitjen e leximit tek të rinjtë, si dhe promovimin e talentit të të rinjve në arte.

 “Tek projekti “Detektivët e Bibliotekës” pashë nxënës që transformoheshin. Nga fëmijë të ndrojtur, në lexues pasionant dhe interpretues brilantë,”- rrëfen mësuese Kela, e cila ka drejtuar edhe një grup të rinjsh përmes modulit Impact Club.

Pasioni dhe dëshira për të ndihmuar fëmijët më në nevojë e ka nxitur mësuese Kelën që të ndërmarrë edhe projekte personale, si nisma “Këpucët e Krishtlindjet”. Fundvitin e kaluar, për një muaj rresht, mësuesën zemërmadhe e shikoje pothuajse çdo pasdite në pedonalen e qytetit të Korçës, duke pritur dhuruesit e këpucëve që do të mbathnin këmbët e zbathura të fëmijëve në nevojë.

“Le të sjellim më shumë dritë në jetët e fëmijëve sepse vetëm kështu do të zmbrapsim errësirën,”- thotë ajo, ndërsa e mbyll mesazhin me një thirrje; të bashkuar mund të sjellim ndryshim në jetën e fëmijëve.

World Vision Albania punon me mësuesit dhe shkollat për të mundësuar ambiente shkollore miqësore dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët,  veçanërisht për fëmijët më në nevojë me fokus te fëmijët me aftësi të kufizuar.