Historia e veçantë e Jamarbërit, 10-vjeçarit autik që sapo ka botuar një libër

46

Poezia është mënyra më e mirë që ai ka për të shprehur ndjenjat, emocionet, dashurinë për jetën, për familjen, për të afërmit e për gjithçka tjetër që e plotëson ose e shqetëson.

Bëhet fjalë për djaloshin e talentuar Jamarbër Hoxha, 10-vjeçarin me çrregullim të spektrit autik, i cili sapo ka publikuar librin e tij të parë. “Lulëkuqja” ose “AuvernaMon” është titulli i këtij libri me poezi.

Jamarbër nuk është një fëmijë i zakonshëm dhe nuk e ka pasur të lehtë që të shprehet duke shkruar në letër. Që prej vitit 2017, gjatë një vizite në Manastirin e Ardenicës ai ka shprehur talentin e tij dhe ka nisur të shkruajë poezinë e parë. Që prej asaj kohe poezia e ka plotësuar dhe e ka ndryshuar jetën e tij.

Poezitë e tij janë shkruar mbi frikën, mallëngjimin, dashurinë, fenomenet natyrore apo dëshirat e tij. Jamarbri ka spikatur për inteligjencën e tij që në moshë akoma më të vogël duke qenë pjesë e studiove të ndryshme televizive, ka qenë në shumë aktivitete, ka folur publikisht për autizmin. Atij i pëlqejnë shumë gjuhët e huaja dhe po ashtu është një ndër lexuesit më të mirë të bibliotekave në Tiranë. Ai ishte i ftuar sot në “Wake Up”, ku rrëfeu se lulëkuqja është lulja që i sjell gëzim.

“Ndihem shumë i lumtur për librin. Më pëlqen shumë lulëkuqja, sepse është lulja që më sjell gëzimin”.