INSTAT: 99.8 % të ndërmarrjeve aktive e zënë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

7

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) prej kohësh janë pranuar si motorët e rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Arsyeja është se ato, jo vetëm që ofrojnë mundësi të shumta punësimi për shtresat e ndryshme të shoqërisë, por njëkohësisht janë aktivitete ku paraja qarkullon më shpejt, duke pasur kështu një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë.

Kjo konfirmohet edhe nga raporti i INSTAT i publikuar sot, “Statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM)”, i bazuar në rezultatet e vrojtimit të statistikave strukturore, për vitin 2021.

Referuar raportit 99.8 % të ndërmarrjeve aktive e zënë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në të njëjtën përqindje si në vitin 2020 dhe po ashtu 81.6 % e të punësuarve janë punësuar nga to nga 81.9 % që ishte në vitin 2020.

Ndërkohë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme realizojnë 79 % të shitjeve neto nga 79.7 % të realizuara në vitin 2020.

Këto ndërmarrje kanë kryer 76.4 % të investimeve në vend të 74 % të kryera në vitin 2020.

Sipas INSTAT, rreth 10.6 % e shitjeve neto të NVM shkojnë për eksport. Ndërmarrjet e mesme kryejnë përqindjen më të lartë të eksporteve me 18.3 % të shitjeve neto të realizuara prej tyre. Mikrondërmarrjet eksportojnë vlerën më të ulët, ku rreth 4.5 % të shitjeve neto janë eksportuar.

Të dhënat tregojnë se, mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 69 %. Ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e industrisë nxjerrëse me 29.5 %.

Ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e industrisë përpunuese me 38.1 %.

/ata.gov.al