INSTAT: Volumi i mallrave me rrugë detare u rrit me 8.8%

15

Në Shqipëri operojnë katër porte detare të cilët shërbejnë për transport mallrash: Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë).

Sipas INSTAT, Porti i Durrësit është porti kryesor në vend prej të cilit gjatë 3-mujorit të katërt të vitit 2023, janë transportuar 94,3 % e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 1.641 mijë ton mallra.

Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 7,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 207 anije, nga këto 168 anije janë të huaja dhe 39 anije vendase. Numri i anijeve të hyra dhe të dala në porte është rritur me 81,6 %, ku numri anijeve të huaja është rritur me 80,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

Portet detare ku kryhet transporti pasagjerëve në vend janë: Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe porti i Shëngjinit. Lëvizja e pasagjerëve në tremujorin e katërt 2023 është kryer nga porti i Durrësit, Vlorës dhe porti i Sarandës.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është 197.377 persona, pothuajse i njëjti nivel me tremujorin e  IV 2022.

Porti i Durrësit është porti kryesor në vend nga i cili kanë udhëtuar 64,7 % e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Sarandës me 24,9 % dhe më pas porti i Vlorës me 10,4 %.

Në tremujorin e katërt 2023, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është 1.389,5 mijë ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është rritur me 8,8 %.

Volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e katërt 2023 zë 41,8 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara.

Volumi i mallrave të importuara me det në tremujorin e katërt 2023 zë 63,6 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara.

/ata.gov.al